Më shumë se shtatë mijë euro të shpenzuara për udhëtime zyrtare nuk janë arsyetuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), shkruan sot Koha Ditore.
Për pesë udhëtime zyrtare nuk janë paraqitur as ftesat e as agjendat zyrtare të atyre udhëtimeve. Kjo është njëra ndër shkeljet që Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka identifikuar në ministrinë e udhëhequr nga Arban Abrashi i LDK-së. Auditori në këtë raport ka identifikuar menaxhim jo të duhur të avancave për udhëtime zyrtare.
Vlera e avancave të pambyllura në pasqyrat vjetore financiare është 10 mijë e 921 euro dhe kishte të bënte me kredit-kartelat të cilat nuk janë arsyetuar me dëshmitë përkatëse.