Takimi është zhvilluar në kuadër përgatitjeve të Samitit të Frankofonisë që do të mbahet javën e ardhshme në Madagaskar.
Ministri Hoxhaj i ka njoftuar diplomatët për iniciativën e MPJ-së për krijimin e një fondi bursash për të rinjtë frankofonë kosovarë si dhe për organizimin e një konference për investitorë frankofonë në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm.
“Frankofonia është një ndër organizatat më të rëndësishme sa i takon ndërveprimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj me një numër të madh shtetesh frankofone në fushat e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe diplomacisë dhe ne synojmë të intensifikojmë bashkëpunimin”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.
Nga ana tjetër iniciativa e MPJ-së është vlerësuar lartë nga përfaqësuesit e vendeve partnere të Kosovës, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e shteteve të tyre për të bashkëpunuar në realizmin e këtyre projekteve.
Kosova është pjesë e Organizatës Botërore të Frankofonisë (OIF) prej nëntorit të vitit 2014. Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka bërë progres në përafrimin me strukturat dhe programet e OIF. MPJ është ndër mbështetësit kryesorë të Javës së Frankofonisë dhe Festës së Muzikës në Kosovë, në bashkëpunim me Aleancën Franceze të Kosovës.
.