Ish ambasadorja e Kosovës në Bruksel, brenda strukturave të PDK-së e ka në konkurrencë për këtë post edhe nënkryetarin Uran Ismailin dhe zëvendësministrin e Zhvillimit Ekonomik, Gani Kocin.
Megjithatë, burimet brenda PDK-së thonë se Ahmetaj ka më shumë gjasa, që ta marrë nën udhëheqje këtë ministri, për faktin se tashmë asaj i ka përfunduar mandati si ambasadore dhe vjen nga një përvojë diplomatike. Përveç tjerash, emërimi i saj, do të ishte në linjë me premtimet e kreut të PDK-së, Kadri Veselit, për rritjen e numrit të femrave në Qeveri.
Të kontaktuar nga Radio Kosova, zyrtarët e PDK-së nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Basri Musmurati, është përgjigjur shkurt duke thënë se nuk është diskutuar ende kjo çështje. Sipas tij, ka kohë për një gjë të tillë, ngase siç tha ai, Çollaku e ka dorëzuar dorëheqjen me shkrim në fillim të kësaj jave.
Ndërkohë, edhe këshilltari i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu, në një përgjigje me shkrim tha se ende nuk ka asgjë zyrtare sa i përket emërimit të ministrit të ri.
Radio Kosova merr vesh se partnerët e koalicionit nuk janë duke u ngutur për emërimin e ministrit të ri të Integrimit Evropian. Madje, burimet thonë se ka pak gjasa që emërimi i ministrit të ri, të bëhet gjatë shtatorit.
Përndryshe, përveç Ministrisë së Integrimit Evropian, edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është pa ministër, që nga mesi i qershorit, kur Ferid Agani u lirua nga detyra e ministrit për shkak të ngritjes së një aktakuze ndaj tij për rastin “Stenta”, për kohën sa ka qenë ministër i Shëndetësisë. Kryeministri e ka autorizuar zëvendësministrin Ferat Shala të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë e ministrit të Ministrisë së Mjedisit. Zyrtarët e Partisë së Drejtësisë kanë thënë se është marrëveshje mes partnerëve të koalicionit që mos të ketë emërim të ri, duke ia ruajtur në këtë mënyrë Aganit, pozitën e ministrit.