29,11,2024

Milionerët e Kosovës së varfër

Must Read

Kosova, konsiderohet vendi më i varfër në Evropë dhe me shkallë të lartë të papunësisë. Por, pavarësisht këtyre fakteve, Kosova ka edhe elitën e vet politike, që në të shumtën e rasteve përbëhet jo vetëm nga biznesmenë, por nga zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore dhe lokale, që figurojnë si milionerë me pasuritë e tyre.

Kështu të paktën thonë përfaqësues të subjekteve ekonomike, organizatave joqeveritare dhe disa qytetarë, sipas të cilëve, pasurimi i zyrtarëve shtetërorë është bërë duke zbrazur xhepat e varfër të qytetarëve të vendit.

Një situatë e tillë, sipas tyre, dëshmon për nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka vënë lidhje mes politikës dhe bizneseve të dyshimta.

Në Kosovë ekziston Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, në të cilën zyrtarët e lartë e kanë obligim të deklarojnë pasurinë e tyre.

Por, përveç deklarimit të pagës në mënyrë reale, pasuria e patundshme dhe ajo e luajtshme, besohet se paraqitet sipas dëshirës së tyre, ngase askush nuk e verifikon atë.

Kosova është shndërruar në një shtet të varfër të njerëzve të pasur. Kjo për faktin se në Kosovë mund të identifikohen dukuri të shumta negative, si korrupsioni, nepotizmi, burokracia dhe tenderomania, thotë për Radion Evropa e Lirë, Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës.

Këto dukuri, sipas tij, kanë ndikuar në pasurimin e paligjshëm që vjen si pasojë e mungesës së rendit dhe sundimit të ligjit.

“Sot në Kosovë është krijuar një shtresë, e cila vërtet nuk e di fundin e pasurisë. Por, në qoftë se bëhet një analizë më e thukët e asaj se çfarë të hyrash mujore kanë dhe sa është volumi i pasurisë së tyre, është një diskrepancë, por në të njëjtën kohë është një provokim për sistemin e drejtësisë në Kosovë, që më këto raste të merret në mënyrë serioze”, thotë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, Artan Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, për Radion Evropa e Lirë, tregon se bazë të një hulumtimi të kësaj organizate, rezulton se mbi 50 zyrtarë të lartë të Kosovës kanë tejkaluar vlerën milionëshe vetëm për pasuri të patundshme.

“Prapë se prapë edhe me të gjitha këto të ardhura që marrin zyrtarët, duke i llogaritur pagat, mëditjet dhe të gjitha shtesat tjera, është shumë problem të justifikohet pasuria me pagat që marrin”.

“Nëse një zyrtar ka një të hyrë vjetore nga 30 -35 mijë euro, është shumë problem se si arrin të bëjë pasuri deri në një milion euro. ​Konsideroj se është një mospërputhje e madhe sa i përket pasurisë që kanë dhe pagave që marrin nga buxheti i Kosovës. Pra, është e pajustifikueshme pasuria që kanë, duke krahasuar me të hyrat që i realizojnë’’, thotë Demhasaj.

Por, Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit nuk ka numëruar sa zyrtarë kanë pasuri milionëshe. Hasan Preteni, drejtor në këtë agjenci, në një përgjigjeje nëpërmjet postës elektronike, thotë se nuk është problem të jesh milioner.

“Problemi është nëse je bërë milioner duke e keqpërdorur pozicionin zyrtar apo duke mos respektuar ligjin”, thekson Preteni

Pavarësisht faktit se në mënyrë zyrtare është vështirë të identifikohet pasuria e tyre, në shoqëri vazhdimisht flitet për mënyrën e fituar të milionave të disa zyrtarëve.

Qytetarët thonë se burim i prodhimit të milionerëve janë institucionet doganore dhe prokurimi publik.

Artan Ramizi, me profesion ekonomist, e konsideron mision të pamundur, arritjen e pasurisë milionëshe me paga të sektorit publik dhe fitimet që i sjell sektori privat, nëse punohet në mënyrë ligjore.

“Doganat dhe procedurat për dhënien e tenderëve janë burim kryesor i prodhimit të milionerëve në Kosovë. Kryesisht kompanitë që punojnë me tenderë shtetërorë dhe ato që importojnë produkte me akcizë më të lartë, bashkëpunojnë me politikanë dhe në mënyrë të paligjshme ( apo marrëveshje xhentëlmeni) përfitojnë milionat. Pra, milionerët krijohen direkt nga xhepi i popullit të varfër”, thotë Ramizi.

Profesori Adem Haziri, mbi të 60-at, habitet se sa shumë ka ndryshuar infrastruktura ndërtimore në qytete, duke e marrë si shembull Prishtinën. E për të gjitha këto, nuk beson se janë investuar me para të gatshme të fituara në mënyrë ligjore.

“Ne që jemi rritur në Prishtinë, e njohim kryeqytetin, sa i madh ka qenë, sa njerëz ka pasur, kush ka qenë i pasur dhe kush i varfër. Kurse, tash pas 17 vitesh, janë krijuar milionat e miliardat. Pra, në Kosovë ka pushtet jo shtet. Shteti dallohet nga pushteti. Pra, kjo pasuri është krijuar me hajni e me asgjë tjetër”, thekson Haziri.

Se pasuria e disa personave në Kosovë është krijuar pas periudhës së luftës, dyshon edhe Artan Demhasaj, nga Organizata “ Çohu”.

“Është e vështirë të dihet prejardhja e pasurisë. Por, një gjë që thuhet është se shumica e pasurisë është krijuar në vitet 1999 -2000. Dhe, kjo është diskutabile se si kanë mbërritur menjëherë pas përfundimit të luftës të krijojnë këtë pasuri”.

“Ndoshta kanë qenë pronat shoqërore që kanë kaluar në pronë private, këtu më pas duhet të ketë hetim nga organet e drejtësisë që të merren më tepër me prejardhjen e pasurisë”, shton Demhasaj.

Në anën tjetër, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 400 euro në muaj, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Kurse shkalla e papunësisë në Kosovë është mbi 32 për qind, ndërkaq varfëria ekstreme 10 për qind.

Duke marrë parasysh vlerën e pagave dhe pasurinë e disa qytetarëve të Kosovës, edhe Safet Gërxhaliu, vlerëson se kjo nuk përputhet me realitetin.

“Me vetë faktin se në Kosovë paga mesatare është 350 euro dhe arrihet ky standard ose ky nivel i jetës së grupeve të caktuara, është vërtet diçka që dëshmon se statistikat në Kosovë, japin më shumë rezultate të sakta të të dhënave të gabuara se sa rezultate të sakta të të dhënave të sakta. Kjo sepse po të jenë të hyrat 350 euro dhe të krijohet pasuri milionëshe është diçka që nuk është koherente me realitetin”, shprehet Gërxhaliu.

Shoqëria civile në Kosovë vazhdimisht ka kërkuar që të krijohet baza ligjore që sanksionon pasurinë e paligjshme dhe në bazë të cilit mundësohet kofiskimi i pasurisë së krijuar në mënyrë joligjore.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident komunikacioni rrugor me fatalitet në Kaçanik

Me datën 29.11.2024 rreth orës 07:30 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Hani Elezit-Kaçanik, tek vendi i...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img