27,11,2024

Meta: Do të bëjmë çdo përpjekje për konsensus, ta përmbyllim sot

Must Read

Pak para nisjes së seancës, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka mbledhur Konferencën e Kryetarëve. Meta tha se janë dëmtuar procedurat parlamentare për ndryshimet kushtetuese që u paraqiten sot deputetëve për votim.

“Për t’i dhënë solemnitetin e duhur kësaj seance i kam kërkuar kryetarit të Komisionit për Reformën, Fatmir Xhafa, që të bëjë mbledhjen e komisionit për të reflektuar menjëherë marrëveshjen e arritur edhe me partnerët ndërkombëtarë. Kjo mbledhje nuk është zhvilluar dhe ne jemi në këtë situatë. Zoti Xhafa dje ka bërë një deklaratë pasi kanë ardhur këtu anëtarët e komisionit. Ka bërë disa insinuata. Duhet të vijë këtu zoti Xhafa dhe ekspertët që nuk patën kurajën të vinin këtu për të sqaruar.

Meta tha se në cilësinë e kryetarit të Kuvendit ka kërkuar transparencë në çdo hap të negociatave dhe i bëri thirrje kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi t’i bashkohet mbledhjes për të dhënë sqarime lidhur me mosrespektimin e proceduarve parlamentare.

“Kam kërkuar transparencë dhe standarde sipas Venecias. Kam kërkuar qëkur është bërë raporti final i Venecias, që të mblidhen aktorët kryesorë politikë dhe ata ndërkombëtarë dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. I vetmi moment kur unë kam bërë një ftesë publike, pasi ambasadori amerikan me të drejtë i kërcënoi zotin Rama dhe zotin Basha se po të mos e zgjidhnin do të kyçeshin përgjithmonë, kam kërkuar të mblidheshin të gjithë dhe kjo nuk ka ndodhur. I bëj thirrje zotit Xhafa të vijë këtu sepse sot janë dëmtuar procedurat parlamentare për ndryshime kushtetuese”, tha ai.

Menjëherë pas Metës, fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i cili foli për një “puç” që iu bë reformës mbrëmjen e kaluar.

Paloka: Unë situatën e shoh shumë të rëndë. Ju e bëtë pak të shkurtër kronologjinë. Dje u ra dakord të kemi një seancë solemne. Për të mos u futur më në lojërat politike, duhet të them se dy rastësi mesnate nuk mund të ketë. Të hënën na ndodhi e njëjta gjë, në mes të natës kur negociatorët po festonin, një telefonatë e çoi ku e çoi. Dje u mblodhëm këtu dhe ramë dakord dhe se ç’ndodhi, shqiptarët e kanë parë të gjithë. Ai ngjante tamam me një puç.

Më pas, mbledhjes iu bashkua kreu i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafa. Ai u shpreh se e gjithë çështja është e qartë, fillimisht marrëveshja duhet të negociohej nga 3 negociatorët e më pas nga Komisioni i Reformës në Drejtësi.

Xhafa-Metës: Ule zërin, fol me qetësi. E kam mbledhur rregullisht komisionin, në respekt të detyrës time dhe të kolegëve të mi. Opozita e ka bojkotuar rregullisht komisionin. Do kisha dashur ta mblidhje me kohë këtë komision, që të uleshim me PD-në. Komisioni është mbledhur të premten, afati maksimal, sipas rregullores. Ajo e komisionerit Hahn nuk është marrëveshje, është letër. Kjo do të thotë së duhet një marrëveshje politike. Komisioni nuk mblidhet për të lexuar letra, por për të shqyrtuar ligje dhe nene.

Ne kemi miratuar të gjitha çështjet e tjera përfshi propozimin e zonjës Nuland, e lamë të hapur sot për shkak të negocimit të një pike, e dinë gjithë qytetarët se nuk ka ndërkombëtar që s’e di se Basha ka thënë: ka një çështje, sa të zgjidhet ajo dhe ne jemi gati ta votojmë. Ajo ishte çështje që duhet ta negocionte ekipi negociator i zgjedhur nga partitë. Ajo çështje ngeci, u ndesh, ndërhyri Hahn për çlirimin e saj. Do të duhej normalisht të ishte vazhduar aty ku ishte kërkuar zgjidhja. Kryetarët ranë dakord ta zgjidhnin me negociatorët. Po ky grup duhet të mblidhej sot dhe t’i jepej zgjedhje, që i jepte zgjidhje ngërçit. Pastaj mblidhej komisioni për ta formalizuar. Kaq e thjeshtë është gjëja. Po çfarë ndodhi? Pse nuk e bënë? Se kishin një plan tjetër. Nuk kishin 1 por shumë. Kur panë se u zgjidh kryesorja hapën probleme të reja që të mos votohet reforma.

Ndërsa kreu i grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, u shpreh se mbledhja e një dite më parë duhet të ishte mbajtur për të mos penguar seancën e sotme në Kuvend.

“Mbledhja duhet të kishte një karakter të mirëfilltë procedural, – theksoi ai. – Kam dëgjuar se ne paskemi marrë drejtimin e gabuar, ne nuk kemi marrë drejtimin e gabuar. Dua të bëj qartë. Më dhanë një dokument dhe po prisja nga çasti në çast të niste mbledhja, ky ishte qëndrimi im i gabuar të respektoja draftin që përfaqësuesi i huaj kishte dërguar. Pika e mbetur pezull e vetingut nuk mund të shkojë në seancë, kjo zgjidhje nuk u mor sepse ne së paku formalisht edhe duke qenë të ndarë, ne kemi krijuar keqkuptim edhe me Ambasadën Amerikane se na kërkon një gjë që ne nuk e kemi miratuar akoma, çfarë t’i them ambasadorit? E ka përgatitur eksperti amerikan, e kemi pranuar, pse s’e bëjmë, këto janë disa të vërteta të mëdha. që janë qëndrimi i duhur dhe jo i gabuar”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, propozoi vijimin e mbledhjes me dyer të mbyllura, duke theksuar se do të diskutohet në lidhje me arritjen e konsensusit për të çuar draftin për votim brenda ditës së sotme.

“Nëse ka vullnet të sinqertë politik, kjo çështje zgjidhet për më pak se 2-3 orë, pra sot. Në këtë situatë që jemi, nuk duhet të bëjmë një shfaqje të shëmtuar sepse është një moment shtetformimi për Republikën e Shqipërisë. Kjo është situatë e paqartë duhet të marrë fund brenda këtyre orëve dhe mendoj të flitet pa kamera”, tha Meta.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tha se puna duhet të vijojë atje ku është lënë dje. “Dje kemi marrë një vendim dhe fërshëllyem të ngazëllyer. Çuditërisht në orët e vona doli ajo që askush nuk e priste. Marrëveshjet politike bisedat e lidershipit politik kanë dakordësuar dhe negociatorët kanë bërë një formulim por të padakordësuar nga të 3 palët. Nëse është kështu dhe është dakordësuar, pse del ky ngërç? Le të vazhdojmë seancën atje ku e lamë dje”, tha ai.

Kreu i deputetëve demokratë, Edi Paloka, tha se drafti sipas letrës së komisinerit Hanes Hahn është zgjidhja e vetme.

“Unë e thashë të mblidhet komisioni të na sjellë draftin sipas letrës së zotit Hahn. Ajo është zgjidhja e vetme. A bëhet sot për 2-3 orë, nuk e di. Uroj të bëhet për 2-3 minuta”, tha ai.

Në fund, kreu i Kuvendit, Meta, theksoi se palët do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të finalizuar sot miratimin e reformës në Parlament.

“Do bëjmë çdo përpjekje për konsensus. Jemi të vendosur ta përmbyllim, me vullnetin që ta votojnë të gjithë për të mos pasur probleme as me legjitimitetin e saj, as me zbatimin e saj. Konsensusi duhet të jetë historik. I ftoj mediat të largohen, do të diskutojmë edhe disa minuta me dyer të mbyllura”.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img