27,11,2024

Mediat spanjolle: Trump nikoqir i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë

Must Read

Agjencia e lajmeve shtetërore të Spanjës “EFE”, ka shkruar për ftesën e presidentit Trump dërguar Thaçit dhe Vuçiqit.

EFE shkruan se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donalld Tramp, ka ofruar që të shërbejë si nikoqir i bisedimeve paqësore në mes të liderëve të Serbisë dhe të Kosovës, që do të mundë të çonte te një “marrëveshje historike”.

Presidenti i Kosovës ka publikuar në rrjetet sociale një letër të nënshkruar nga Trumpi, në të cilën mandatari amerikan zotohet t’i presë në Shtëpinë e Bardhë, Thaçin dhe homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq.

Në letrën dërguar Thaçit, më 14 dhjetor, Trumpi konfirmon se: “Jemi të gatshëm që t’ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme”.

“Dëshiroj t’u pres juve dhe presidentin Aleksandër Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë për të festuar atë që do të mund të jetë një marrëveshje historike”, shkruan më tej Trumpi.

Në vitin 2013, Beogradi dhe Prishtina arritën një marrëveshje për fillimin e normalizimit të raporteve të tyre nën patronazhin e Bashkimit Evropian, megjithatë dialogu nuk ka arritur përparime domethënëse, pavarësisht që Brukseli i kërkon këto përparime me qëllim të përafrimit të tyre në bllokun komunitar.

Një nga pengesat më të mëdha është çështja e pavarësisë së Kosovës, ish-provincës serbe të populluar nga një shumicë e madhe e shqiptarëve që u shkëput nga Serbia në vitin 2008.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është njohur tashmë nga më shumë se njëqind vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumica e partnerëve të BE-së, por jo edhe nga Spanja, Rusia, Kina, India dhe vende të tjera.

Në letrën e tij, Trumpi ia kujton Thaçit se ShBA-ja ka “investuar fuqishëm” për pavarësinë e Kosovës dhe i bëri thirrje atij që ta “shfrytëzojë këtë moment të veçantë, që të flasin me një zë të unifikuar për bisedimet e paqes dhe të shmangin çdo veprim që do të mund ta bënte të vështirë arritjen e kësaj marrëveshjeje”.

Marrëdhëniet në mes të Prishtinës dhe Beogradit kanë qenë të tendosura këtë muaj, pasi Parlamenti i Kosovës miratoi transformimin në Ushtri të Forcës së saj të kufizuar të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Autoritetet kosovare e konsiderojnë këtë vendim si një hap “historik”, i cili, simbolikisht, e  nënshkruan sovranitetin e vendit.

Përballë kësaj, Serbia konsideron se vendimi i Prishtinës shkel Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila përcakton se siguria e Kosovës është në duart e KFOR-it, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO-ja.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img