19,12,2024

Me Akademi Solemne u evokuan kujtimet e 12 Qershorit të 1999-tës, Ditës së Çlirimit të Ferizajt

Must Read

20 vjetori i Çlirimit të Ferizajt u shënua edhe me Akademi Solemne. Në Teatrin e Qytetit “Adriana Abdullahu”, për këtë ngjarje me peshë të jashtëzakonshme historike, Komuna e Ferizajt, kishte përgatitur një program të pasur, kulturor-artistik. Në skenë i pari u ngjit, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, nikoqiri i qindra mysafirëve dhe bashkëqytetarëve që kishin ardhur në nderim të kësaj dite dhe sakrificës për liri. Ai tha se në këtë përvjetor jubilar, në emër të të gjithë qytetarëve të Ferizajt, ndjehet i thirurr të nderoj kujtimin për sakrificën shekullore të popullit tonë.

“Brezi që e përjetoi triumfin e madh të qershorit të vitit 1999, është brezi më fatlum i historisë kombëtare të shqiptarëve, që pa fundin e dhembjes dy mijë vjeçare të Kosovës, nën thundrën brutale të robërisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nga dhjetë qershori i vitit 1999 dhe ditëve në vijim, ndërsa në Ferizaj më 12 qershor të atij viti, hyri triumfalisht në qytete, me mesazhin e e një populli, të trashëguar në histori, për gatishmëri deri në vetëflijim, në mbrojtje dhe përurim frymëzues të nocionit të shenjtë e jetik të lirisë.
Luftëtarët tanë, atyre ditëve të trazuara, ngritën lartë flamurin, ku ishin shënuar amshueshmërisht emrat e heronjve të rënë, ku ishin skalitur plagët e luftëtarëve, dhe ku tashmë ishte shtrirë pakthyeshëm gjurma e pashlyeshme e prekjes së ëndrrës shekullore të lirisë e shtendërtimit. SHBA-të, Britania e Madhe, Evropa Perëndimore e bashkuar dhe vende të ndryshme të botës, si asnjëherë në histori, u bënë tok për të qenë zëri i fuqishëm i thirrjes për mbrojtjen e një kombi të virtytshëm që po kërcënohej me zhdukje. Ndaj, miqve tanë të lirisë sonë, gjithnjë do t’u jemi mirënjohës.
Ferizaj, si mbarë Kosova, ditën e çlirimit, më 12 qershor, e priti me sakrifica të mëdha: qindra të vrarë e të plagosur, shumica e popullatës shqiptare e përzënë me dhunë nga shtëpitë, mijëra shtëpi e objekte publike të shkatërruara e djegura nga okupatori serb. Në këtë përvjetor jubilar, në emër të të gjithë qytetarëve të Ferizajt, ndjehem i thirurr të nderoj kujtimin për sakrificën shekullore të popullit tonë.Në kujtimin tonë, janë të gjithë heronjtë e të të gjithë brezave.
Në kujtimin tonë, është martirizimi hyjnor i popullit tonë në ruajten e qenësisë fizike e kulturore.
Në kujtimin tonë, janë sot mësuesit, studentët, nxënësit, klerikët,punëtorët, fshatarët, bujqit.
Në kujtimin tonë, janë veçanërisht nënat, motrat, e vajzat tona, që ndonjëherë mbase edhe pavërejtshëm, janë heroinat e mbijetesës dhe emancipimit tonë. Nderi, lavdia e mirënjohja, veçanërisht në këtë pëvjetor jubilar të çlirimit, iu takon dëshmorëve të UÇK-së dhe dëshmorëve të të gjithë brezave, gjaku i të cilëve, ishte zëri ynë për lirinë” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe Kryetari i OVL- UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu i cili tha se në këtë ditë të madhe për Ferizajn është rasti që të përkujtojmë popullin shqiptar të Kosovës i cili në vazhdimësi ka luftuar kundër pushtuesve të huaj e në këtë proces populli i Ferizajt ishte aktiv në gjithë këto lufëtra.

“Në Ferizaj janë mbajtur shumë kuvende kombëtare, në procesin e organizimit të shumë luftërave për liri. Ferizaj ka qenë promotor i organizimit të protestave si në vitin 1968 po ashtu në vitin 1981 e në veçanti duhet theksuar protesta e vitit 1989 kundër ndryshimeve kushtetuese, protesta që në një mënyrë ngritën në këmbë tërë Kosovën. Në të gjitha këto protesta, kuvende, greva të punëtorëve, sikur e përgatiten popullin e Ferizajt për diçka më të madhe dhe ajo e madhja ndodhi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra lufta për të arritur deri këtu nuk ishte e shkurtër, por as e lehtë, popullit shqiptar të Kosovës iu deshtë afër një shekull rezistencë dhe sakrificë, luftëra herë të vogla herë të mëdha, por luftën populli shqiptar asnjëherë nuk e ndali dhe rezultatet e te gjitha këtyre luftërave është lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” tha Rafiz Sejdiu, kryetar i OVL- UÇK-së në Ferizaj.

Nga ana tjetër ish Komandanti i Zonës Operative të Neredimes, Shukri Buja ka evokuar kujtime të 20 vite më parë, duke përkujtuar kështu edhe të gjitha ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës dhe ata të cilët ranë për të mos vdekur kurrë.

“Sot është 20 vjetori i çlirimit, përvjetor jubilar, përvjetor që po të kthehemi prapa ishte i dhimbshëm, se po hynim qyteteve tona pa bashkëluftëtarët e rënë në betejë, po hynim me bashkëluftëtaret tanë me barela, pa gjymtyrë të trupit të cilit i kishin lënë në betejë. Ishim krenar se po hynim triumfues dhe po jepnim qytetarëve më të shtrenjtën, lirinë. Kur kthehem prapa në kohë e kujtoj periudhën para këtij operacioni përfundimtar, por kishim kaluar në një betejë të rëndë vetëm Brigada 161 “Ahmet Kaciku”, ku njësitet operative kishte 36 ditë luftime të pandërprera nga maji i po atij viti. Ishte një vijë frontale shumë e gjerë nga Gremja deri ne Rancë dhe kishim përgjegjësi te mëdha në Zonën Operative të Neredimes, sepse ne zonën tonë ishte stacionuar Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme dhe pjesa më e madhe e qeverisë ishin stacionuar që nga fund marsi i atij vitit. Edhe pse kishim pak armatim, ishim koxha ngushtë edhe me municion, por krijoshim strategji të veçantë me ushtarët e Kosovës që të bëjmë luftime të ashpra ne vijën e parë të frontit”, ka thënë Buja, përderisa ka vazhduar rrëfimin e tij deri me 12 Qershor atëherë kur u bë edhe çlirimi i Ferizajt dhe i Kosovës.

I pari i qytetit, Agim Aliu kishte zgjedhur këtë akademi, që në 20 vjetorin e Çlirimit, me konsidetarën dhe nderimin më të lartë t’i ndaj mirënjohje shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së dhe shoqatën e të burgosurve politik. Përfaqësuesit e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës të të Burgosurve Politik me respekt e falënderim pranuan mirënjohjen që i ishte dedikuar nga i pari i Ferizajt, Agim Aliu në shenjë respekti për kontributin e çmuar lartë për lirinë e Kosovës.

Ngjarja vijoi me një program të pasur muzikor që kishin përgatitur okteti në dirigjimin e profesoreshës, Lindita Isufi. Manifestim i veçantë në këtë akademi ishte pjesa teatrale që kishin përgatitur nxënësit e shkollës “Astrit Bytyçi” që bëri të shpërthej nga duartrokitjet, salla e Teatrit “Adriana”.

Shënimi i 20 vjetorit të Çlirimit të Ferizajt, gjatë ditës së sotme, vijon edhe me koncertin festiv që do të mbahet në Palestrën e Sporteve “Bill Clinton” duke filluar nga ora 20:00.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img