29,03,2024

Mjeshtri që mbi 56 vite mirret me riparimin e këpucëve

Must Read

Këpucëtari Qemajl Sojeva është njëri nga 5 mjeshtrit e riparimit të këpucëve në Ferizaj i cili po i reziston vështirësive të kohës dhe metodave moderne të punës. Janë këto dyqane te vogla që ende mbajnë aromë lashtësie e të cilat të kujtojnë një Ferizaj më ndryshe, të cilat janë ende në jetë vetëm falë përkushtimit dhe dashurisë së madhe që kanë pronarët e tyre pra zanatlinjtë e vjetër të qytetit.

“Unë i kam 56 vjet qe e ushtoj këtë zanat dhe më duket si atëherë kur e kam nisur krejt i ri këtë punë. Tash është një ndryshim i madh se ka nga pak punë, por jo si përpara sepse kriza e ka bërë të veten gjithkund, edhe në zanatin tonë. Sa i përket ndenjës dhe kënaqësisë për punë mua, ndoshta mosha më ka lodh pak mirëpo ende kam dëshirë të flakët të punoj në këtë zanat ngase vetëm këtu e gjej prehjen, qetësinë dhe vullnetin e jetës” nis tregimin e për zanatin prej këpucëtari, Qemajl Sojeva i cili me shumë kënaqësi riparon këpucë të vjetra e të reja, me meshkujve apo të femrave.

Myshterinjtë që e vizitojnë xha Qemajlin për ndonjë shpjegim apo shërbim gjithmonë ndahen të kënaqur nga përgjigjet që marrin, sepse këtë vend-punishte të vogël hetohet lehtë dashuria për zanatin dhe mbijetesën e tij.

Ky mjeshtër provoi edhe profesione të tjera, por kot nuk e gjeti veten ashtu siç dëshiroi. Punoi një kohë në Kombinatin e drurit në Ferizaj, por pas një kohë sërish filloi të merrej me riparimin e këpucëve e nganjëherë edhe çantave vetëm për t’u ndarë të kënaqur myshterinjtë që ia besojnë shpesh edhe gjërat e tyre më të çmuara duarve të xha Qemajlit.

“Kam myshterinjtë edhe nga Kumanova se lëre më të qyteteve më të afërta të Ferizajt. Më kujtohet një herë kur një grua me vajzën e saj kishin ardhur nga atje dhe kishin një çantë të shtrenjtë për ta rregulluar të cilën nuk ua kishte kap në dorë askush, aq shumë u gëzuan kur ua kreva punën, sa që edhe mua më bënë të ndjehem shumë mirë e krenar me zanatin që asnjëherë nuk më është dukur i vështirë e i rëndë” thotë Xha Qemalji teksa qep një këpucë në dukje të parë të re, por që pas një a dy herë mbathjeje ka kërkuar dorën e mjeshtrit.

Për problemet e cilësisë e mallrave të sotme shpreh një brengosje edhe ky mjeshtër ferizajas, sipas tij sikur tek të gjitha mallrat edhe tek këpucët , këpucët e mira kanë çmim, kurse ato më të lira realisht nuk qëndrojnë shumë , kurse modifikimi që bëhet sot nuk duhet t’i mashtrojë qytetarët, sepse këpucë të mira prodhohen edhe në Kosovë, por ato kanë një çmim më të arsyeshëm.

12966039_10207474646162635_288763246_n

Zanatet vjetra po shuhen edhe në Ferizaj

Prej një radhe të gjatë dyqanesh ku zanatlinjtë të ndryshëm jetonin dhe i jepnin gjallëri të qytetit, sot në Ferizaj punojnë vetëm pesë këpucëtar të cilët i mban më shumë përkushtimi për të mos e shuar veprimtarinë se sa që kanë punë çdo ditë.

“Është për t’u shqetësuar se zanatet më nuk po i donë askush as të rinjtë e as institucionet nuk po tregojnë kujdes që sadopak ta stimulojnë këtë veprimtari. Unë për vete do të isha shumë i kënaqur sikur të përfitoja nga ndonjë projekt i komunës apo kujtdo qoftë, që me pak angazhim tonin dhe të tyre ta kisha një dyqan më të madh e më modern , por fatkeqësisht nuk kam pasur asnjë ftesë asnjëherë që të bashkëbisedojmë se si t’i ruajmë zanatet e vjetra” thotë mjeshtri i riparimit të këpucëve Qemajl Sojeva i cili nuk e din as vet një numër të saktë të këpucëve që ka pasur nëpër dorë por shprehet i sigurt që ky numër dihet të tejkalojë 500 mijë palë.

Këpuctari Qemajl Sojeva thotë se këtë zeje nuk e ka trashëguar nga të afërmit e tij ,por këtë punë e ka bërë për 56 vjet me radhë me dëshirë dhe po vazhdon të punojë edhe më tutje. Fillimisht ai kishte punuar me një mjeshtër më të vjetër nga i cili kishte mësuar e më pas hapi edhe dyqanin e tij . Shprehet i lumtur që pas tij edhe djali Gentoni po e trashëgon në njohuritë e riparimit të këpucëve

“Zanati është shumë i dobishëm për këdo që din ta dojë e ta ushtrojë. Duhet mjaft seriozitet e durim gjë të cilën ia përsëris shpesh edhe djalit tim, sepse tashmë është dëshmuar se ai nuk të lë pa bukë asnjëherë” shpreh porosinë Qemajl Sojeva mjeshtër i riparimit të këpucëve.

I biri i tij Gentoni edhe me këtë rast i gjendet pranë babait duke rregulluar këpucët e ndryshme. Pasi nuk ka kryer ndonjë shkollim thotë se është i lumtur që mësoi të gjitha specifikat e zanatit nga i ati dhe do ta ushtrojë gjatë këtë punë  ngase puna e duarve është më e rëndësishme se secili angazhim tjetër.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img