Instituti Kombëtar po përcjell me vëmendje ecurinë epidemiologjike të gripit sezonal në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Nga 01 tetori deri më 31 janar 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 24.932 raste te dyshimta në grip, 3.357 raste të infeksioneve respiratore akute dhe 62 raste të rënda respiratore akute).
Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit – IKSHPK deri më 31 janar 2018 janë testuar gjithsej 306 mostra të dyshimta në grip. Prej tyre 132 mostra kanë rezultuar pozitive: 44 mostra Influenza A, prej tyre 1rast A(H1)v dhe 87 mostra Influenza B prej të cilave 48 raste Influenza B tipi Yamagata.
Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe.
Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.
Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina, kur të kihet parasysh se ky tip B i gripit nuk gjendet në vaksinën e sivjetme kundër gripit sezonal.
Një informatë inkurajuese për qytetarët se tipi B Yamagata (“Gripi Japonez”) nuk shkakton shpërthime epidemike dhe është më pak i rrezikshëm se tipi A (H3N2) (“Gripi Australian”) i cili mund të shfaqet në Kosovë .
Kemi kërkuar nga Ministria e Arsimit të raportojë në baza ditore mungesat e nxenësve në të gjitha shkollat e Kosovës, që paraqet një indikator të rëndësishëm për të rekomanduar ndërprerjen eventuale të mësimit në shkolla.
Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, ku eziston mundësia e rritjes së rasteve.