Sipas shifrave zyrtare, papunësia në Kosovë thuhet se është 32.9 për qind, kurse sipas shifrave të përfaqësuesve të punëtorëve, thuhet se niveli i papunësisë është 45 për qind.
Për të përmirësuar tregun e punës në Kosovë, autoritetet kompetente vazhdimisht kanë kërkuar nga të papunët që të paraqiten në zyrat e punësimit, të cilat funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Numri i përgjithshëm i të regjistruarve në këto zyra, është rreth një qind e dyzet mijë punëkërkues.
Rreth tetë mijë është numri i punëkërkuesve me nivel të lartë të arsimimit.
Por, të dekurajuar nga mundësia e gjetjes së një vendi të lirë të punës nga regjistrimi në këto zyra, jo të gjithë të papunët kanë vendosur emrat në këto lista.
Arbeni, 27-vjeçar është i papunë dhe para dy vjetësh thotë se ka qenë i regjistruar në zyrtar e punësimit. Por, ai tregon se është çregjistruar për shkak se nuk ka arritur të sigurojë ndonjë vend pune nëpërmjet këtij departamenti.
“Kam qenë i regjistruar në zyrat për punësim, por ishte e pamundur për të gjetur një punë dhe më vonë jam çregjistruar nga ajo zyre, sepse është e kotë. Tash nuk kam punë të qëndrueshme. Punoj herë pas here në sektorin privat, çka ka nevojë”, thotë Arbeni.
Kurse, i riu tjetër, Besnik Thaçi, student në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe i Sportit, tregon se edhe gjatë studimeve ka kërkuar punë jashtë profesionit të tij, por nuk ka arritur të sigurojë.
Ai thotë se nëse arrin të gjejë ndonjë punë, pas përfundimit të studimeve, do të regjistrohet në këto zyre.
“Punë kam kërkuar, jo në profesionin tim. Pasi dëshiroj të punoj edhe për përvojë pune, por edhe për mjete financiare”, tregon Besniku.
Edhe nënkryetari në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK) Alush Sejdiu, për Radion Evropa e Lirë, thotë se jo të gjithë të papunët janë të regjistruar në zyrat e punësimit.
“Për arsye se edhe pritjet janë të gjata dhe zgjidhja e kërkesave të tyre. Kështu që njerëzit janë demotivuar nga pritjet dhe nuk janë regjistruar. Por, duhet të tregojmë edhe çështjet pozitive, zyra e punësimit ka bërë një avancim, ka një program të avancuar të evidentimit me financim të Bashkimit Evropian”, thotë Sejdiu.
Sidoqoftë, sipas Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, thuhet se numri i përgjithshëm i punëkërkuesve të ndërmjetësuar në punësim të rregullt përmes Zyrave të Punësimit për vitin 2016 është rreth 3.000 – prej tyre mbi 1.000 janë femra.
Kjo ministri, ndërkaq, bën të ditur se vitin e kaluar ka arritur të punësojë mbi 17 mijë persona.
Ndryshe, sipas rezultateve të anketës së fuqisë punëtore për vitin 2015, publikuar në muajin qershor të këtij viti, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se dy të tretat e popullsisë së Kosovës nga 15 deri në 64 vjeç, është në moshë pune, por rreth 150 mijë persona të kësaj moshe vitin e kaluar kanë qenë të papunë.
Ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se shifrat zyrtare të punësimit nuk janë reale. Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, shifrat e papunësisë në Kosovë i quan shifra kabinetike.
Rexhepi thotë për Radion Evropa e Lirë se ulja e papunësisë nuk mund të bëhet pa ndonjë zhvillim ekonomik, e në Kosovë nuk ka pasur ndonjë përmirësim që reflekton në uljen e shkallës së papunësisë.
“Prandaj, nëse kjo qeveri apo cilado qeveri tjetër, nuk nxit cikël investiv, nuk krijon ambient për një rritje shumë më të madhe ekonomike, atëherë problemet do të mbesin të njëjtat dhe ndoshta premtimet do të jenë të njëjta, meqenëse nuk po shoh dhe nuk po vërej një veprim konkret apo një vizion të qartë se si të nxitet zhvillimi ekonomik”, thotë Rexhepi.
Ai thotë se kohëve të fundit institucionet e Kosovës, kanë anashkaluar problemet ekonomike, duke u fokusuar në problemet politike.
“Mund të zgjidhet edhe problemi i demarkacionit, edhe problemi i Asociacionit të Komunave, dhe çfarëdo problemi tjetër mund të tejkalohet. Por, problemi i zhvillimit ekonomik dhe problemi i punësimit do të mbesin probleme akute që kërkojnë një konsensus dhe një fokusim afatgjatë, meqenëse nuk janë çështje që mund të përfundojnë me një vit pune apo me një mandat”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Ibrahim Rexhepi.
Po, sipas anketës së Agjencisë se Statistikave të Kosovës, pjesa më e madhe e të papunëve u përket personave të moshës 15 deri në 34 vjeç, që përbëjnë 62 për qind të të papunëve.
Shkalla më e lartë e papunësisë paraqitet te personat me nivel të ulët të arsimimit, me rreth 74 për qind.
Po, gjatë vitit 2015, rreth 14 për qind e të papunëve, nuk kanë kërkuar punë, sepse nuk besonin se kishte punë në dispozicion dhe janë dekurajuar nga kjo çështje.
Papunësia, e vlerësuar nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare si problem kryesor për shoqërinë, për çdo fushatë elektorale, nga partitë politike është shfrytëzuar si premtim kryesor.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, partitë politike kishin premtuar krijimin e 120, eventualisht 200 mijë vendeve të reja të punës. (REL)