19,05,2024

Mbahet konferenca shkencore kushtuar Medresesë Alauddin në Prishtinë

Must Read

Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës (BIRK) dhe Medreseja Alauddin në Prishtinë organizojnë konferencë shkencore me titullë “Medreseja Alauddin e Prishtinës – 65-vjet në shërbim të arsimit fetar dhe kombëtar. Me intonimin Kosovës dhe himnit kombëtar dhe një pjesë nga Kurani fisnik  të lexuar nga nxënësi Uvejs haxhiu u bë hapja solemne e kësaj conference.Në këtë eveniment mori pjesë myftiu i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës  Naim ef. Tërnava, ish presidenti i Republikës së Kosovës z.Fatmir Sejdiu, Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar H. Skender Bruçaj, Myftiu i Bashkësisë Islame të  Sanxhakut Mevlud Dudiq, përfaqësuesi i Bashkësisë Fetare Islame  të Maqedonisë njëherit dekani i  Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup prof. Dr.Fahrudin Ebibi, përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Omer Kajoshaj,  parlamentar,  ministra, pedagogë të medresesë Alauddin, studiues,efendilerë dhe shumë personalitetet të jetës politike, kulturore etj.

Mysafirëve mirëseardhje ju dëshiroi drejtori për Shtyp dhe Veprimtari Botuese Ahmet ef. Sadriu i cili  u lut që Zoti këtë manifestim ta pranojë në radhën e veprave të mira. Ky është një përvjetor tepër i rëndësishëm i punës dhe aktivitetit të Medresesë Alauddin  e cila është një nga institucionet tona më të rëndësishme arsimore, fetare islame dhe kombëtare. Kjo konferencë po organizohet me qëllimin e njohjes sa më mirë dhe ndriçimit të  të rolit të Medresesë dhe këtë më së miri do ta paraqesin studiuesit gjatë kësaj konference nga tërë trojet shqiptare në dy ditët në vazhdim.

Në fjalën  përshëndetëse, Myftiu i Republikës së  Kosovës, Naim ef. Tërnava theksoi se kam nderin që sot para jush t’ju drejtohem në këtë manifestim jubilar kushtuar 65-vjetorit të Medresesë “Alaudin” – kësaj vatre të edukimit dhe arsimit fetar dhe kombëtar. Prandaj, më lejoni fillimisht që me respekt t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj në emër të Kryesisë së BIRK-së, në emër të institucioneve dhe organeve të saj, si dhe në emrin tim personal për praninë tuaj në këtë përvjetor të rëndësishëm. “Medresetë tona ishin një pjesë e pandarë e jetës publike, të cilat qëndronin mbi baza intelektuale dhe që rrënjët i kishin tek feja islame. Ato vazhduan të funksionojnë, cila më shumë e cila më pakë, për një periudhë disa shekullore, saktësisht deri në vitin 1948, kur u mbyllën përfundimisht nga sistemi komunist, të gjitha medresetë e deriatëhershme dhe se Medreseja e Prishtinës, përveç se shënon një nga hapat më të rëndësishëm të Bashkësisë Islame të Kosovës, ajo u bë edhe urë lidhëse mes medreseve klasike dhe medresesë së mesme tashmë të reformuar sipas kërkesave dhe nevojave të kohës.

Medreseja “Alaudin”,  sikurse u tha, misionin e saj e nisi në vitet ’50 të shekullit të shkuar, dhe për dekada të tëra ishte e vetmja vatër e arsimit fetar që shqiptarëve ua mësonte fenë në gjuhën shqipe, ua mësonte dashurinë ndaj Zotit, dashurinë ndaj vatanit – atdheut. Këtë mision, Medreseja e vazhdoi me sukses deri në ditët e sotme, gjithnjë duke i tejkaluar sfidat me të cilat u përballë gjatë sistemit monist dhe riokupimit të Kosovës nga Serbia dhe sfidave e problemeve që lidhen me natyrën e punës dhe veprimtarisë së një institucioni shkollor.

Medreseja e Prishtinës, gjatë dekadave të punës dhe veprimtarisë së saj ka dhënë dhe vazhdon të jep kontribut të jashtëzakonshëm në përgatitjen e ulemave të rinj, të kuadrit fetar e të drejtuesve shpirtërorë të popullit tonë, dhe në formimin e përgjithshëm kulturor të popullit, në edukimin moral, qytetar e atdhetar të breznive të reja dhe në rrënjosjen e dashurisë për dije e përparim.

Këtu u formuan imamët, hatibët, myderrizët, mualimët dhe prijësit islam të cilët u vunë në shërbim të jetës fetare islame jo vetëm në nivel vendi, por edhe më gjerë. Sepse, sikurse dihet, medresenë e Prishtinës nuk e kanë ndjekur vetëm nxënës nga Kosova, por, madje që nga vitet e para, edhe nxënës nga Maqedonia, Mali i Zi, Sanxhaku,Kosova lindore e më vonë edhe nga Shqipëria. Kurse veprimtarë të jetës fetare e kombëtare nga ish-nxënësit e medresesë ka gjithandej nëpër trojet tona etnike e të coptuara shqiptare, në diasporën shqiptare, dhe jo vetëm kaq, por Medreseja e Prishtinës ishte paraprijëse e denjë e Medresesë së Mesme “Isa begu” në Shkup, medresesë së Novi-Pazarit dhe Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.

Myftiu Tërnava më tej theksoi se  një mirënjohje të veçantë sot nderojmë të gjithë drejtuesit, pedagogët, nxënësit dhe të gjithë ata që me angazhimin, punën, përkushtimin, sakrificën, dijen dhe kontributin e tyre punuan në themelimin, ngritjen, rriten dhe zhvillimin e medresesë, duke e bërë atë një qendër të rëndësisë së veçantë të edukimit dhe arsimit, e cila medrese jetoi e bashkëlidhur dhe e pandarë me fatin e popullit dhe të vendit tonë.

Nderojmë dhe u jemi mirënjohës myderrizëve të parë hfz. Bajram ef. Aganit, hfz. Isak ef. Saidit, Ahmet ef. Mustafës, Rashid ef. Osmanit, hfz. Ismail Haki ef. Ustaibo, hfz. Muharrem ef. Adilit, Hasan ef. Nahit, Sherif ef. Ahmetit, Sadri ef. Prestreshit, mësuesit të parë të gjuhës shqipe në medrese dhe veteranit të arsimit Haki Krasniqit, dhe të gjithë të tjerëve që në rrethana jo shumë të favorshme e vunë medresenë në themele të shëndosha e cila edhe sot vazhdon të jep frytet e saj. Më pastaj, respekt dhe mirënjohje për të gjithë drejtuesit, pedagogët dhe punonjësit e tjerë të brezave të mëvonshëm të kësaj shkolle që vazhduan punën ashtu siç e kishin nisur myderrizët e brezit të parë.

Pas myftiut Tërnava një fjalë rasti mbajti ish Presidenti i Kosovës z.Fatmir Sejdiu i cili vuri në pah rolin fetar dhe kombëtar që ka luajtur medreseja Alauddin gjatë  gjashtë dekadave të kaluara.”Kjo shkollë e bazuar në projektin e saj ka dhënë njerëz të dijes, njerëz që iu kanë dashtë dhe i duhen Kosovës edhe më tej. Më vjen mirë dhe këtë e them nga praktika se kam pa shumë studentë që kanë dal nga kjo medrese dhe kanë qenë student të shkëlqyeshëm dhe kam pas kureshtjen që shpeshëher të shtyhem me ta dhe të bëjmë garë sidomos në çështjet e drejtësisë. Medreseja është institucion i respektit të madh. Medreseja ishte një strehë mbështetëse për institucionet dhe projektin e lirisë. Shpresoj dhe uroj që të ecni edhe më tej të një rrezatimi plus në thellimin e hulumtimeve dhe trajtesave shkencore dhe në zhvillimin e vendit tonë të dashur dhe të botës sonë të përbashkët” theksoi Sejdiu.

Kurse në vazhdim  të pranishmëve me një fjalë rasti  iu drejtua edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, H. Skender Bruçaj i cili nënvizoi se ky është përvjetori i Medresesë Alauddin e cila është një nga medresetë më me vlerë në trojet shqiptare e cila për shumë dekada solli qytetërimin e zhvillimin, kulturën e dijen në këto toka të bekuara. Kjo shkollë për shumë kohë u bë vatër edukimi, mësimi, e besimi dhe vatër atdhe dashurie. Sot pas shumë dekadash pune e sakrifice të gjithë jemi krenar për arritjet dhe sukseset e medresesë Alauddin dhe njëkohësisht të gjitha medrese tjera në trojet shqiptare.

Në emër të Bashkësisë Fetare islame të Maqedonisë këtë  manifestim e përshendeti dekani i  Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup prof. Dr.Fahrudin Ebibi i cili  si një ish nxënës i kësaj medrese nënvizoi se  këtë vatër e llogaris si një nga qendrat më të rëndësishme për kombin tonë. Në këtë vatër zuri fill tradita e interpretimit shqip të njohurive fetare islame. Unë kurrë nuk kam pushuar së qenurit krenar për faktin se jam një ish nxënës i kësaj medreseje dhe prej gjeneratave të para që dolën nga kjo Medrese dhe me epitet kujtoj mundin e  profesorëve tanë të cilët në kushte shumë të rënda u përpoqën që të nxjerrin kuadro me të cilët do të mburrej mbarë kombi.

Myftiu i Bashkësisë Islame të  Sanxhakut Mevlud Dudiq si një ish nxënës i kësaj shkolle iu drejtua të pranishmëve në gjuhën shqipe  edhe pse  ishte e vështirë për të gjë që krijoi një ndjenjë të mirë në sallë. Kjo ceremoni dallon prej ceremonive tjera për faktin se medreseja Alaudin është shkollë e veçantë dhe me sigurie shkolla më elitare në Kosovë. “Medreseja është ruajtëse e identitetit fetar dhe kombëtar të myslimanëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Sanxhakut. Kjo shkollë ka qenë shtëpia e dytë për boshnjakët e Sanxhakut. Falë Allahut pastaj medresesë Alauddin feja islame po ruhet në Sanxhak. Kur u regjistrova në Medresenë Alauddin në Prishtinë më 1981 nxënësit më thonin nuk mundesh me qenë mysliman nëse nuk e flet gjuhën shqipe, ku në klasën tonë ishin vetëm tre nxënës në mesin e 40 nxënësve shqiptar, por profesorët dhe nxënësit shqiptar silleshin mirë ndaj nesh dhe ne nuk e ndjenim mungesën e familjes në këtë institucion.”-theksoi myftiu Dudiq,  duke përfunduar se  sot 40 nxënës kanë dal nga ky institucion ku prej tyre janë katër doktor shkence.

Përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Omer ef.Kajoshaj çmoi kontributin dhe angazhimin e Medresesë Alauddin dhënë çështjes fetare dhe kombëtare duke potencuar se  mua dhe Malin e Zi me këtë institucion na lidh diçka e veçantë. Kosova neve na e dha shkollën. Mësuesi im më mësoi shqip kishte mbaruar fakultetin në Kosovë, por edhe hoxha im që më mësoi leximin e Kuranit kishte mbaruar shkollimin në medresenë Alauddin. Kosova na e ruajti kombin dhe fenë dhe ne i kemi borxh kësaj shkolle dhe Kosovës.

Në fund  të hapjes solemne të kësaj konference, drejtori i Medresesë Alauddin mr.Jakup Çunaku paraqiti një histori të shkurtër  të këtij institucioni duke vlerësuar se  kjo është  një ngjarje  e veçantë e popullit tonë pasiqë është shkolla e parë shqipe ku mësohet islami në gjuhën amtare që nga nëntori i vitit 1951. Nga kjo medrese dolën dhe dalin shumë kuadro që janë në shërbim të fesë, atdheut dhe popullatës. Tre nga përkthyesit e Kuranit në gjuhën shqipe ishin pjesë e kësaj shkolle, njëri ishte drejtues dhe pedagog në këtë shkollë, mulla Sherif Ahmeti, i dyti pedagog në Medrese, Hasan ef. Nahi kurse tjetri ishte nxënësi i gjeneratës së parë në Medrese dhe përkthyes i parë i Kuranit në gjuhën shqipe, prof.dr.Feti Mediu. Ai të gjithë ata që kontribuuan iu shprehu mirënjohje dhe falënderim dhe sikur mos të ishte mundi i tyre nuk do  të ishim këtu ku jemi sot, duke lutur Zotin që  së bashku të shënojnë edhe shumë përvjetorë tjera. Në fund nxënësja Valdrinë Avdullahu recitoi një poezi.

Mbi gjashtëdhjetë referues e studiues shkencor do të paraqiten me kumtesat e tyre sot dhe nesër në këtë konferencë shkencore.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjobë ndaj personit që bëri tejkalim në vijë të plotë, identifikohet kundërvajtja përmes dronit të policisë

Policia Rajonale e Komunakacionit Rrugor me datën 18.05.2024 rreth orës 16:35, në rrugën magjistrale Ferizaj-Viti, skatësisht në fshatin Gërlicë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img