Programi Nacional për Rininë i paralajmëruar muaj më parë nga vizita e Koordinatorit Nacional për Rininë, Kulturën dhe Sportin, Rexhep Hoti në Ferizaj, me ç’rast u prit në takim nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, nisi sot garën komunale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik. Në ambientet e shkollës fillore “Tefik Çanga” dhe shkollës “Çesk Zadeja”, koordinatori Hoti bashkë me deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica dhe drejtorin e Arsimit, Afrim Llabjani takuan nxënësit pjesëmarrës në këto gara, mësimdhënësit e angazhuar në kuadër të këtij programi si dhe drejtuesit e shkollave përkatëse.
Koordinatori Nacional, Rexhep Hoti i cili për këtë garë gjatë ditës së sotme vizitoi edhe Komunën e Shtimes tha se është emocion i veçantë dhe gëzim ta shoh gjithë këtë entuziazëm dhe shpirt garues tek nxënësit.
“Kur ju shoh sot juve këtu, mund të ju them se kur ka hyrë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë një gëzim shumë i madh. Sot ju jeni Ushtria Çlirimtare e Kosovës e arsimit, e fjalës, e krijimit dhe ju jeni realisht e ardhmja. Nuk ka gjë më të çmuar sesa të shoh sot gjithë këta nxënës që kanë diçka për të shprehur. Çdo nxënës që ka ardhur në garë është këtu me punën e tij dhe çdo nxënës sot është president, ministër, punëtor, mësimdhënës dhe gjithçka. Sot ai është i zoti i vetvetes sepse do të bëjë një performancë para panelit vlerësues. Sot, nxënësit tuaj do të mësohen ta menaxhojnë humbjen e dinjitetshme sepse kanë arritur të vijnë deri në nivelin komunal”, tha Hoti.
Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica tha se një garë e tillë që i jep mundësinë për garë të gjithë nxënësve pa dallim do ta ketë mbështetjen institucionale si nismë e domosdoshme që do të prodhoj rezultate pozitive.
“U ndjeva jashtëzakonisht i lumtur që pashë gjithë ata nxënës, prindër e mësimdhënës nën emocionet e garës. Programi Nacional për Rininë ka mobilizuar të gjitha komunat e Kosovës për t’u dhënë hapësirë të gjithë nxënësve të shprehin talentin e tyre. Një mobilizim i tillë dhe angazhim kaq i madh nuk është parë asnjëherë.Kjo është hera e parë që është ndërmarrë një vendim i qeverisë i cili po u ofron të gjithë nxënësve pa dallim të jenë pjesë e garës. Zotohem se programi i drejtuar nga z. Hoti do ta ketë mbështjetjen institucionale sepse është një nismë e domosdoshme, e cila do të prodhojë rezultate shumë të mira” tha deputeti Reçica.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani duke e vlerësuar këtë program jashtëzakonisht të rëndësishëm për ngritjen e kapaciteteve të nxënësve,shoqërorizimin e tyre si dhe mundësinë për shfaqjen e talentëve tha se në shkollat e Ferizajt interesimi i nxënësve për këtë program ka qenë jashtëzakonisht i lartë, manifestimi i së cilës edhe po tregohet sot në këtë organizim.