Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë zyrtarizuar sot marrëveshjen e tyre lidhur me koalicionin parazgjedhor.
Marrëveshja është nënshkruar nga të dy liderët, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.
Analisti Halil Matoshi ka thënë për Telegrafin se AAK dhe Nisma me nënshkrimin e kësaj marrëveshje po synojnë të shdërrohen në “King Maker” për qeverinë e ardhshme.
“AAK dhe Nisma kanë ndërtuar një bosht me synimin që të shndërrohen në ‘King Maker’ për Qeverinë e ardhshme, ndërsa VV-ja mbetet vetëm kundër të gjithëve, sepse mësymja e saj nuk është ndryshimi i Qeverisë ose një Qeveri e re me emra të vjetër por ndryshimi i qeverisjes dhe në këtë aspekt VV-ja e bën diferencën!”, ka thënë Matoshi.
Ndërkaq në anën tjetër, Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, ka thënë për Telegrafin se bashkimi i partive opozitare është i vlefshëm.
“Bashkimi i partive opozitare është i vlefshëm saherë që bazohet në parime shtet-formuese, integruese, zhvillimore dhe të stabilitetit”, ka thënë Ramadani.
Në marrëveshjen e nënshkruar thuhet se AAK dhe Nisma për Kosovën akordohen që të vazhdojnë kundërshtimin opozitar ndaj kapjes së shtetit dhe keqqeverisjes që ka kulmuar dy marrëveshjet kundërkushtetuese, deri në anulimin e tyre dhe në dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.