Lutfi Haziri më 30 mars 2016 në një takim të bordit të Drejtorëve e tha live se javën e ardhshme pritet të nisin investimet në ndërtim të rrugëve të Gjilanit në vlerë të 3.5 milionë eurove. Sot është data 22 prill 2016 dhe asgjë konkrete nga ajo deklaratë e Hazirit nuk është realizuar.
Shoqëria civile është e brengosur me deklaratat paushallë të Hazirit. Shaban Terziu nga shoqëria civile thotë se kreu i komunës duhet të jetë më aktiv dhe të paktën të përmirësojë atë pjesë të premtimeve elektorale. “Nuk ka më arsyetime në emër të borxheve. Po shkon edhe muaji prill e Gjilani ende se ka nisur asnjë projekt madhor. Kjo vërtet është brengosëse dhe shqetësuese. Gjilani si duket është futur në një qorrsokak të pashpresë” shprehet Terziu.
Terziu thotë se e ka marrë malli të shoh makineri nëpër rrugët e Gjilanit. “Fatkeqësisht nuk kemi asnjë projekt konkret të filluar. Gjilani vërtet po shkon drejt kolapsit politik, ekonomik e financiar” shprehet Terziu.
Gjilani para pak vitesh kishte një zyre të projekteve që udhëhiqej nga një profesionist i madhe tani ajo zyre është paralizuar pothuajse krejtësisht shton Terziu.