28,11,2025

Lëviz themeli i shkollës së muzikës në Pejë (video)

Must Read

60 mijë euro të Komunës së Pejës shkuan dëm kur një gyp i ujësjellësit shpërtheu dhe lëvizi themelet e objektit të shkollës së muzikës.

Shpërthimi i gypit dhe lëkundja e themelit të shkollës në ndërtim shkaktoi dëme të pariparueshme dhe ndërprerje të punimeve.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës Engelbert Zefaj ankohet kur flet për KALLXO.com se e tërë puna ndërtuese e bërë deri tash është shkatërruar.

“Pasi që ka përparuar në punimet e para ( kompania kontraktuese) në etazhën nëntokësore, aty gjatë natës diku ka shpërthyer një tub  i ‘Hidrodrinit’ dhe ai tub ka rrjedhë gjatë gjithë natës dhe e ka mbushur, e ka ngopur shumë tokën me ujë. Fuqia e ujit ka arritur që ta lëviz tërësisht platformën e shkollës së muzikës, ta spostojë për disa metra në nivel dhe kështu e ka dëmtuar gjithë punën e realizuar deri në atë ditë,” tha Zefaj.

Ai tregoi se komuna menjëherë ka formuar një komision për vlerësimin e dëmeve dhe përcaktimin e shkaktarit të tyre, ndërsa sipas Zefajt komisioni e ka nxjerrë fajtore Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”.

“Ne kemi komunikuar me kompaninë ‘Hidrodrini’, ne kemi kërkuar mirëkuptim që ata ta pranojnë raportin e komisionit vlerësues dhe të kompensojnë dëmin e shkaktuar, sepse sipas konstatimeve tona ata janë fajtorë,” tha ai.

Por drejtori i Hidrodrinit” Agron Tigani shpërthimin e gypit e konsideroi aksidental.

“Ne jemi në fazën e vlerësimit dhe ende nuk kemi marrë kurrfarë raporti vlerësues të komisionit komunal. Gypi ka qenë gjithmonë aty-denbabaden, ajo çfarë ka ndodhur është një fatkeqësi.  Pasi të shqyrtohen raportet e komisioneve vlerësuese do shikohen mundësitë nëse gjendet gjuhë e përbashkët, nëse jo rasti do procedohet në gjykatë,” tha drejtori i “Hidrodinit” për KALLXO.com.

AAK-ja, subjekti më i madh opozitar në Pejë për lëvizjen e themeleve të shkollës së muzikës e bën fajtore komunën.

“Pasojat kanë qenë evidente me fillimin e punimeve në atë objekt. Këtë shqetësim personalisht e kam ngritur në asamblenë komunale kur e kam pyetur kryetarin e komunës a ka leje ndërtimi ky objekt. Nuk kamë marrë përgjigje edhe pse kryetari ka qenë në sallë i pranishëm sepse të gjithë e kemi ditur që nuk ka leje ndërtimi. Mospasja e lejes së ndërtimit ne mendojmë që i ka pru pastaj problemet tjera,” tha Naim Sahiti, kryetar i AAK-së në Pejë.

Sipas tij rrjeti i ujësjellësit në atë lagje është i instaluar që 30 vjet dhe siç tha ai është qesharake të fajësohet kompania e ujësjellësit për atë që ka ndodhur.

Sahiti deklaroi se edhe rreth 25 mijë euro do t’i kushtojë buxhetit komunal pastrimi i themelit të dëmtuar.

Komuna planifikon që vitin e ardhshëm të fillojë për herë të dytë punimet për ndërtimin e shkollës së muzikës në po të njëjtin vend.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ferizajasi Leard Sadriu drejt hapit të madh në karrierë, arrin marrëveshje me skuadrën gjermane

Leard Sadriu pritet të largohet nga futbolli rumun vetëm pas gjashtë muajsh qëndrimi te FC Arges, duke qenë gati...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img