Lajme

LDK: Konjufca të tregojë për uzurpimin e fermave të pulave dhe partneritetin me serbët

By FerizajPress

April 03, 2016

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj paraqitjes së sotme të depuetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili ka riaktualizuar skandalin e vitit të kaluar të kompanisë së djemve të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

LDK-ja, përmes një reagimi, i ka quajtur neveritëse këto përpjekje të VV-së, për të njollosur kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe familjen e tij.

“LDK-ja konsideron se përpjekjet e sotme të kësaj lëvizje janë rezultat i dështimit të kauzave të saj antishtetërore për zhytjen e vendit në kaos, anarki dhe gjakderdhje, për stopimin e rrugës integruese euroatlantike dhe prishjen e partneritetit me SHBA-të dhe vendet e tjera mike”, thuhet në reagim.

“LDK-ja kërkon nga kjo lëvizje, që para së të përpiqet që të ndërtojë kauza morbide duke cenuar çdo parim etik e moral, të sqarojë:

1. Kush po sjell para pa kufi nga Serbia për veprimtarinë e saj në Kosovë dhe kush po jep fonde të posaçme për të hedhjen e molotovëve mbi policët, objektet shtetërore dhe shtëpitë e makinat private të zyrtarëve të shtetit të Kosovës?

2. Të na tregojë se a janë të njëjtit njerëz, në krye me Ivica Daçiqin, të cilët i organizonin konferenca ekskluzive ish-liderit të VV-së gjatë qëndrimit në burg, ku ai trajtohej si VIP? A është kjo arsyeja që qëndrimi i VV-së dhe i Beogradit zyrtar përputhet karshi shumicës dërrmuese të proceseve në Republikën e Kosovës?

3. Glauk Konjufca, është mirë që të na tregoj se a vazhdon ai dhe familja e tij e ngushtë të përpiqen të uzurpojnë ferma pulash në Lipjan e gjetkë dhe që përmes partneritetit me firma serbe të rrisin kapitalet e tyre?

LDK-ja thekson përkushtimin e saj të plotë, që përkundër përpjekjeve neveritëse të një subjekti ultra-majtist i cili po vë në dilemë miqësinë e Kosovës dhe të popullit të saj me SHBA-të, të angazhohet edhe më fuqishëm në forcimin e gjithanshëm të shtetit të Kosovës dhe të miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera mike perëndimore”, thuhet në komunikatën e LDK-së.