16,11,2024

LDK dhe LVV kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për projektin ”Bashkimi i Qytetit”

Must Read

Ferizaj. 06.11.2018. Lidhjen Demokratike dhe Lëvizjen Vetëvendosje në Ferizaj i bëri bashkë një qëllim. Këto dy parti opozitare kanë mbledhur 15 nënshkrime të asamblistëve përmes të cilëve kanë deponuar një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal. Opozita e bashkuar po kërkon që në këtë seancë të ftohet në interpelancë ekzekutivi për të dhënë më shumë sqarime për projektin “Bashkimi i Qytetit”, meqë konsiderojnë se ai nuk ka bazë ligjore.

“Ne sapo deponuam një kërkesë në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale dhe statusit të komunës dhe rregullorës së Kuvendit për mbajtjen e një mbledhje të jashtëzakonshme ku ne si LDK dhe VV jemi dakorduar që si anëtarë Kuvendi, por edhe si qytetarë të kësaj komune kemi nevojë të kemi më shumë informacione rreth këtij projekti të rëndësishëm, pasi që ne mendojmë se këtij investimi i mungon baza ligjore”, tha Gëzim Kokollari nga LDK -ja.

Ndërkaq, Enver Haliti nga Vetëvendosje, tha se kërkesa e përbashkët e opozitës për një seancë të jashtëzakonshme vjen pas shumë kritikave dhe kërkesave që kanë bërë individualisht në çdo takim me ekzekutivin dhe legjislativin, por për të cilat komunarët asnjëherë nuk ua kanë vënë veshin.

“Ne si opozitë e bashkuar së bashku më LDK-në dhe me asamblistin që tashmë ka nënshkruar Nehat Mustafa, presim që kryetari i komunës me ekipin e tij të na jap sa më shumë informata dhe sqarime se në çfarë baze ligjore është duke e zbatuar këtë projekt kapital në qendër të qytetit. Dihet që për projektin në fjalë kemi reaguar disa herë edhe atëherë kur është miratuar buxheti për vitin 2019 dhe kemi thënë se ai investim nuk është paraparë në asnjë dokument të planifikimit të komunës së Ferizajt. Do të thotë, nuk ka pasur diskutime publike dhe asnjëherë nuk është njoftuar Kuvendi kur dihet se është një projekt milionësh dhe prek zemrën e qytetit, kemi parë se veç sa kanë filluar punimet janë paraqitur problemet e para me dëmtimin e infrastrukturës nëntokësore, thjesht po realizohet një projekt pa ndonjë projekt detal dhe nuk dihet se kush do të jap përgjegjësi për dëmtimet e përditshme”, theksoi ai.

Opozita thotë se Kuvendi Komunal në bazë të rregulloreve në fuqi është i obliguar që këtë seancë të jashtëzakonshme ta ftoj brenda tri ditësh. Ndërkaq, e kontaktuar përmes telefonit, kryesuesja e Kuvendit Kristina Gashi- Bytyqi, tha se sapo ta marrë këtë kërkesë do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendimin që e parasheh ligji, transmeton Televizioni Tema.
Në anën tjetër Albion Sherifi nga zyra për informim në komunën e Ferizajt ka thënë për Televizionin Liria. se çështja e seancës së jashtëzakonshme është çështje e Kuvendit , ndërsa sa i përket qëndrimeve të opozitës për projektin “Bashkimi i qytetit” ka shtuar se shpërfaq dorëzimin e opozitës para një qeverisje me projekte të mëdha. Madje këtë projekt e ka quajtur identitar dhe në harmoni me Planin Zhvillimor.
“Tendenca që të vihet në tavolinë diskutimi i këtij projekti, janë tendencë që ky projekt të rrënohet nga ana e opozitës. Është një pengesë e pa arsyeshme. Ky projekt ka kaluar të gjitha filtrat e nevojshëm dhe ka mbështetje si nga niveli qendrorë si dhe nga vetë propozuesi i nivelit lokal.Ka koncenzuesin e plotë të qytetarëve dhe komunitetit të bizneseve dhe si i tillë presim që ta transformoj qytetin e Ferizajt” ka thënë Albion Sherifi.
Bazuar në rregulloren e punës së Kuvendit nga ushtrimi i kësaj kërkese duhet të pritet tre ditë deri tek marrja e vendimit për seancë të jashtëzakonshme. Deri atëherë duhet pritur.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Përmbyllet Kuvendi i V-të zgjedhor i OVL – UÇK dega në Ferizaj, Afrim Mehmeti zgjedhet kryetar

Pas përfundimit të zgjedhjeve të kuvendeve të 19 nëndegëve, sot u mbajtë Kuvendi zgjedhor i OVL të UÇK-së dega...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img