Vendimit të kryeministrit Haradinaj për rritje të pagave, siç duket, nuk do të mund t’ia shohin hairin gjyqtarët, prokurorët e zyrtarët e administratës në vend. Kjo, pasi që Agjencia Kundër Korrupsionit po e konsideron të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga ana e kabinetit të ekzekutivit kosovar. Rrogat me rritje për të gjithë këta rrezikojnë të mos u dalin fare.
Rritje të rrogës ishte paraparë që të kenë 450 gjykatës, 210 prokurorë dhe një numër zyrtarësh të administratës.Gjithsej, janë rreth 700 zyrtarë të shtetit që do të duhej të përfitojnë nga vendimi i Kryeministrit për rritje pagash për kabinetin qeveritar, që prek edhe sistemin e drejtësisë. Nga 7 deri 10 milionë euro do të shkonin më shumë nga buxheti i Shtetit për këtë kategori të zyrtareve shtetërorë. Në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave thonë se janë bërë gati që pagat e janarit t’u dalin me rritje prokurorëve dhe gjyqtarëve. Por, fillimin e muajit shkurt këta zyrtarë mund ta presin edhe me dëshpërim.
Kjo pasi që Agjencia Kundër Korrupsionit e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga ana e kabinetit qeveritar, të kryesuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj. Kjo Agjenci, në interpretimin e saj, ka thënë se zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zv.kryeministrat, ministrat dhe zv.ministrat) që kanë votuar vendimin në fjalë për rritje të rrogave të veta, “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit ‘rast për rast’, dispozitat e caktuara që rregullojnë ‘Veprimet e ndaluara për zyrtarin e lartë’, si dhe me shumicën e dispozitave që përcaktojnë ‘Parimet e veprimit dhe mos veprimit të zyrtarit të lartë publik”.
AKK ka konstatuar se “konflikti i interesit është shkaktuar vetëm për zyrtarët e lartë që kanë qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes”.
“Vendimi i Qeverisë i datës 20.12.2017 nuk mund të cilësohet si konflikt interesi për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga nxjerrja e këtij vendimi. Konflikti i interesit është paraqitur tek zyrtarët e lartë të cilët me votën e tyre kanë ndikuar që Vendimi të jetë në interes të tyre për përfitime personale”, ka thënë AAK në opinionin e saj.
Agjencia Kundër Korrupsionit thotë se këtë rast nuk e ka trajtuar në aspekt të kompetencës së Qeverisë së Kosovës, të drejtën apo jo për rritje të pagave për atë sektor, mirëpo “çështja është trajtuar vetëm në aspekt të procedurës dhe mënyrës së nxjerrjes së Vendimit, duke e vlerësuar kështu me konflikt të interesit vetëm pjesën që kanë votuar, aprovuar dhe nënshkruar”.
“Prandaj, përmes këtij Opinioni, AKK rekomandon që Vendimi të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionin tjetër relevant në fuqi”, ka potencuar AKK në këtë dokument.
Kryeministri Haradinaj më 21 dhjetor 2017 mori vendim për rritje të pagave për vete, për funksionarët e lartë publikë dhe për një pjesë të caktuar të shërbyesve civilë. Ky vendim i tij gjyqtarëve dhe prokurorëve automatikisht u solli rritje të pagave gjë që do t’i pritej t’i kushtojë buxhetit të shtetit miliona euro.
Sipas këtij vendimi, Haradinaj nga muaji janar duhej të paguhet 2950 euro, ndërkohë që deri më tash ai është paguar 1550 euro në muaj. Pagat për zyrtarët e prokurorisë, ndërkaq, do të sillen prej 1400 deri në 3 mijë euro, shkruan Express.
Vendimi i kryeministrit Haradinaj nga disa analistë dhe njohës të problematikës është cilësuar si vepër penale, pasi që Kodi Penal i ndalon personit zyrtar të vendosë për një çështje nga e cila ka interes të drejtpërdrejtë personal financiar./GazetaExpress/