27,11,2024

Labinot Mali, fshati ku përplasen dy kohë (Video)

Must Read
Labinot Mali

Labinot Mali, fshat që ngrihet rreth 30 kilometra nga qyteti i Elbasanit, ka mbetur në histori si vendi ku fronti Nacional Çlirimtar organizoi disa takime gjatë luftës së dytë botërore.

Në këtë fshat u mbajt konferenca e parë në mars 1943, po këtu u formua edhe  Shtabi i Përgjithshëm Nacional Çlirimtar në korrik të po atij vitit, ndërsa në shtator në Labinot do të merrej edhe vendimi që do të zyrtarizonte konfliktin me Ballin Kombëtar. Në këtë të fundit u dënua marrëveshja e arritur në Mukje duke e kaluar konfliktin mes palëve në një tjetër nivel.

Pikërisht pas kësaj shtëpie sot në rrënim fshihen këto vendime, ashtu siç fshihet në pjesët e poshtme një shtatore e Enver Hoxhës, që ende edhe sot ruhet nga një banore e fshatit.

“Për çfarë mos ta ruaj, se sa më kanë ardhur mua këtu me miliona, jo me miliona po me euro. Edhe sot në këto momente mund të vijnë për ta marrë. Pse kush është ai që nuk do? Shitet ai. Dua ta ruaj, sepse nuk më humb asgjë”, shprehet Fatushe Balla.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=OXsEGJSN6cg?feature=oembed&w=640&h=360]

“Ja këtu kanë ardhur për ta marrë, por nuk i lëmë si fshat. Se lëmë se është në pronë të shtetit. Ky fshat mirë ka qenë një çik me përpara, se tani është dobët“, thotë Gazim Rromçi.

Ajo që kuptohet lehtësisht është se banorët nuk kanë nostalgji për sistemin e shkuar, thjesht ata duket sikur kanë mbetur të bllokuar mes dy kohëve. E kjo për shkak të vështirësive të shumta, që sot duhet të merrnin zgjidhje, por që përkundrazi i kanë tërhequr në një jetesë  mjaft të vështirë.

“Fshati për faqe të zezë, vend i varfër, ça të bëjmë, me bujqësi me një bisht lope, s’ka asnjë send prodhim tjetër”, thotë Xhemali.

“Fare leverdi, vetëm se punësim, ngrihu në mëngjes se do iki në punë, po se ça po marr në pune, asgjë. Pre grurin, grurin e bukës, grurin e bukës për me mbajt një lopë, një bisht lope, do shes një viç në vit unë, 200 mijë lekë, 400, ja 500, jo më shumë, ja ai është fitimi. Jam 17 rob në shtëpi, me një tavolinë, darkojmë në një sofër“, shprehet Islam Balla.

“Goxha vështirë, sado që i ka mbetur titulli Labinot Mal, por nuk është e lehtë se është dhe punë fizike. Ka dhe mjete po sado e shtumta është me sforco krahu“, thotë një tjetër banor, Jakup Balla.

Ndërsa, Mehmet Qoshku thotë: “Ca kemi pa, asnjë send, ça kemi pa, 25 vjet që të vijë njëri këtu të na qajë hallin. Vijnë kur kanë nevojë për vota po, brenda katër vjetësh t‘i këtu i ke në rresht të gjithë, kush të mundet“.

Edhe atë prodhim që arrijnë të marrin nga toka, për shkak të rrugës e kanë të vështirë ta tregtojnë. Nga mëse 19 kilometrat që e ndajnë nga aksi kryesor Elbasan – Librazhd, vetëm 3 të fundit janë të shtruara përmes një investimi të çuditshëm të vitit 2011.

“C‘kam Labinot Fushë e kanë kapur rrugën nga koka nuk e kanë kapur këtej nga fillimi. U futet atje të rruga nacionale, e patë rrugën si ishte? Gjithë gropa”, thotë Agim Balla.

Në këto kushte ose prodhimi i patates, domates, rrushit, mbetet, ose ai që shkon në treg mbërrin me një kosto më të lartë e për më tepër edhe i dëmtuar.

“Miellin ndonjë domate, ndonjë patate, kur t’i shesin, treg s’ka, dhe ato konsumo gjatë dimrit, vjen behari dhe ngelim prapë pa para, kështu që e vështirë ngado që të vesh”, shprehet Refat Balla.

Lagjia e sipërme ka një problem edhe më të madh, duke qenë se vuan mungesën e ujit vaditës. Rezervuari ekziston që nga koha e kooperativës, por uji për shkak të degradimit të kanaleve nuk vjen…Pra ujë ka, por ujë s‘ka…

“Dil, merr, tiu, ziu, turru, nuk di si ta shpjegoj, ka rezervuari ujë e ka dhënë zoti atje, ka qenë që në kohë të kooperativës, po rezervuarin do e hapim do e bëjmë, sa lekë bën, ja unë do e bëj këtë, unë do e zmadhoj, kushdo që të vijë në daç nga PD, në daç nga PS, kur vjen puna”.

“Tokën më shumë kanë rënë shira, kemi hap sytë nga qielli, po ujë për vaditje s’kon në përrua, nuk ka as kanale kulluese, as kanale vaditëse”, thotë Mustafa Balla.

Dikur Labinot Mali ka patur një spital me shtretër, dy mjekë, infermierë e staf mbështetës. Ndërsa sot ka një qendër të vogël me vetëm një infermierë. Nxënësit mësojnë deri në klasë të katërt në fshat, nga e pesta e sipër prindërit paguajnë kostot e transportit të përditshëm për në fshatin Shmil disa km nga Labinot Mali.

“Premtime bëhen sa të duash se ju i dini mirë këto punë po, në fund thotë po s’vdiqëm do ngjallemi, këtu jemi”, thotë Musa Qoshku, banor i zonës.

Vështirë t’i gjykosh këta banorë. Pakënaqësia e tyre nuk është nostalgji për diktaturën, sot ç’ka ata kërkojnë është vëmendja për të patur një rrugë të denjë që i shërben jo vetëm këtij fshati, por disa të tillëve, për të patur ujë, shkollim, mbështetje.

“Po tani u bë me keq, po më përpara që ajo, po jena bërë me keq, s’kemi, as punë, ça do bëjmë, ku do vemi, ku do hamë, ku do pimë, s’kemi asgjë ku do mbahemi, s’kemi asnjë të ardhur”, shprehet Hava Cili.

“Asnjë lloj investimi, fare. Edhe faktikisht e kuptuar një çik keq demokracinë ne. E kuptuam që demokracia qënka kështu, po ja që s’qeka kështu”.

I pafalshëm është fakti sesi janë detyruar zona të tilla për shkak të braktisjes, mungesës së investimeve, apo qoftë edhe të një vëmendje minimale për të zgjidhur disa nevoja jetike, të vënë në peshore dy periudhat, kur në fakt mes tyre nuk duhet e nuk mund të kish krahasim. /topchannel

The post Labinot Mali, fshati ku përplasen dy kohë (Video) appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img