Kuvendi i Kosovës, përkatësisht deputetët e tij, e kanë votuar me shumicë votash rezolutën për shtesat për fëmijë.
Sipas rezolutës së iniciuar nga deputetja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ndarja e shtesave për fëmijë duhet të fillojë gjatë vitit 2019.
Ajo para votimit kërkoi nga të gjithë deputetët që të përkrahin këtë rezolutë dhe që ndarja e shtesave për fëmijë të fillojë vitin e ardhshëm.
Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se edhe pse nuk kanë qenë prezent në seancën kur është diskutuar rezoluta, janë pro kësaj.
Në këtë drejtim, Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës që të hartojë dhe zbatojë sa më parë legjislacionin për ndarje të shtesave për fëmijë në Republikën e Kosovës.
Përveç kërkesës që ndarja e shtesave për fëmijë të fillojë gjatë vitit 2019, kërkohet edhe që shuma mujore e shtesave për fëmijë duhet të kategorizohet, duke marrë parasysh kriteret përkatëse, duke përfshirë të hyrat familjare, punësimin e prindërve dhe moshën e fëmijëve.
Ndryshe Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar punimet, me pikat e radhës të rendit të ditës. /Telegrafi/