Një shkrim editoriali i shkurtër në portalet ferizajpress.com dhe gazetablic.com me titull “Shpresa për shtetin” me autor z. Lulzim Aliu, sjell edhe një zë në vargun e zërave nga njerëzit e pushtetit që kërkojnë shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Do të ishte sihariq i mirë sikur këto zëra të ishin koherent me kërkesat e kahershme si nga opozita dhe zëri i qytetarëve për të shmangur një qeverisje e cila nga të gjithë parametrat vlerësuese është dëshmuar e pasuksesshme.
Shkaku dhe arsyeja e reagimit tim drejt një shkrimi të tillë janë: dromcat e konstatimeve dhe këshillat, pa asnjë premisë kauzale mbi gjendjen e krijuar, për më tej huqja e misionit të një këshilltari politik duke zbritur në terrenin e qytetarit bile drejt fundamentit të qenies së tij – tek shpresa , duke i mbajtur dertin për humbjen e shpresës. cit.” Ajo që sot dukshëm shihet është fakti se qytetarëve të Kosovës u ka humbur diku shpresa se do ta kemi një shtet siç duhet . Dhe ne, të gjithë, duhet ta bëjmë luftën që të mos na vdes ajo shpresë”.
A nuk është një tendencë posesiviteti pa marrur shkas për të analizuar humbjen e shpresës sikur ajo ”diku” nuk ka adresë dhe është nocion abstrakt, po ashtu identifikimi me “ ne ” për luftën që të mos na vdes shpresa, a nuk është ? tregues se shpresa pushtetare po vdes para shpresës qytetare . Për më tej shpresa si fundament i dimensionit ndenjor të njeriut ajo vdes vetëm me vdekjen e njeriut, nga kjo pikëpamje përkundër zhgënjimit dhe frustrimit të madh qytetar shpresa nuk ka humbur dhe as nuk do të na vdes sikur edhe në ditët më të vështira.
Lidhur me këtë subkultura e jonë e ka një anekdotë ku përkundër koprracisë së shquar të Gjakovarit i cili gjithë botën e jepte por ymytin-shpresën nuk e jepte.
Në vazhdim po cit.” Ndoshta, në këtë pështjellim, shkuarja në zgjedhje do të ishte një rrugë, edhe pse e turbullt, që do ta mbante gjallë shpresën e njerëzve për një shtet normal” ,
Mos vallë pështjellimi dhe turbullira në rrugën drejt zgjedhjeve të lira është produkt i qytetarit, si e drejt elementare për të zgjedhur i pa hutuar dhe pa u turbulluar me shpresën për një shtet normal? Apo këtë turbullim dhe pështjellim në rrugën e drejt dhe të lirë e krijuan pushtetarët dhe sundimtarët tanë të cilët me pa aftësinë qeverisëse u dëshmuan se ishin të paskrupullt, pakurrizorë e të shantazhueshëm që fatin e tyre e kanë lidhur për kolltuku dhe si rezultat të shumë dështimeve e sollën edhe gjykatën speciale me emërtim racist vetëm për krime lufte të supozuara nga UÇK, ku dikush do të përgjigjet edhe për vrasje të paramilitarëve të shitur si viktima civile të luftës. A mos vallë Gjykata Speciale është një monstrum i ngritur dhe i votuar nga qytetarët.? Apo këtë krijesë Frankeshtajni e dizajnuan kuzhinat serbe në përkrahje të lidershipit tonë, dhe kërkesa për zgjedhje të parakohshme është një preventivë për ruajtje pushteti pavarësisht kokat e kujt do të shkojnë.
Duke cit. dromca tjera në vijim si: “Shpresën për një shtet që do t’i mbronte ata, atëherë kur duhet t’i mbrojë, Shpresën për një shtet që do t’i dënonte ata, atëherë kur duhet t’i dënojë Shpresën për një shtet ku nuk mund të udhëheqin njerëzit që e kanë luftuar atë, Shpresën për një shtet ku dija, guximi dhe kombëtarja vlerësohen dhe çmohen drejt, Shpresën për një shtet ku pushteti punon dhe lufton për të. “ Çuditërisht shpresa e qytetarit e çdo kund është lidhur me shtetin dhe vetëm në një vend përmendet pushteti, ndoshta duhej të ishte kështu sepse sa më pak pushtet do të kishim më shumë shtet, të cilin nuk po e shohim sepse i kapur katërcipërisht mbi të po shihet vetëm dora autoritare e cila nuk po na mbronë atëherë kur duhet të na mbrojë, por na dënon kur s’duhet të na dënoj, udhëhiqet nga njerëz që e kan luftuar atë, ku dija guximi e kombëtarja më nuk janë vlera.
Duke ndjekur edhe dromcat e fundit të të quajturit editorial cit.: “Kjo edhe mund të bëhet. Së paku, duhet të përpiqemi!. Nuk është kohë e improvizimeve por e vendimeve. Shpresa për një jetë të sigurt në shtetin tonë assesi nuk duhet të vdes”!
Nuk ka dilemë se përpjekja dhe kontributi është pjesë e sendërtimit të shpresës edhe atëherë kur shpresën e kanë thyer vendimet dhe improvizimet pushtetare. Çuditërisht vendime të dobishme për ne, disa herë janë marrë në kancelaritë e mëdha botërore e fatkeqësisht vendime e improvizime të dëmshme dolën nga zyrat e qeveritarëve tanë. Por një gjë është e sigurt z. Lulzim, edhe nëse shpresa e pushtetarëve për jetë të sigurt do të vdes, shpresa qytetare për jetë të sigurt nuk do të vdes kurrë. Kjo shpresë do të rrojë përherë edhe pas vdekjeve të qytetarit tonë në duart e shtetit të kapur nga pushteti, edhe atëherë kur pushteti heziton dhe honepset për përgjegjësinë dhe obligimet kushtetuese që i ka. Para mëtimit-synimit drejt lirisë qytetare, historia mijëvjeçare e njerëzimit na mëson që pushtetet në fund janë dorëzuar para vullnetit dhe fuqisë së pathyeshme sepse nuk kanë arritur ta mbajnë në inkubator ate që quhet qytetari apo shoqëri njerëzore. Ekziston një shqisë intuitive qytetare e cila në momente të caktuara ndonëse duket apatike por është e paparashikueshme.
Një proverb popullore nga Shqipëria e jugut thotë: ”Ruaju nga zemërimi i të urtit”, e ç’të bësh popull i urtë jemi ne.
Autor i reagimit: Enver Bajrami , prof.