04,12,2024

Kur nga mundi yt mund të “vjelin” si në bahçe…

Must Read

Visar Sadiku

Sikurse edhe në shumë fusha të tjera ku nuk respektohen të drejtat e autorit, ato nuk respektohen as në gazetari. Përvoja dëshmon se të tjerët nga mundi yt mund të vjelin si në bahçe.

Njësoj shkrime të botuara nëpër gazeta dhe revista kam ndeshur të kenë marrë edhe nga forume të ndryshme dhe anasjelltas. Është mirë që “Google”, duke i arkivuar shkrimet, edhe i identifikon.

Kështu mëson se shkrimet e tua i gjen edhe nëpër gazeta dhe agjenci të ndryshme të botës, kryesisht të atyre shteteve që nuk respektojnë këtë të drejtë.

Edhe pse në nenin 21.2 të ligjit për të drejtat e autorit citohet se “Personat e tjerë mund të shfrytëzojnë veprën e autorit vetëm në bazë të autorizimit të autorit për kalimin e të drejtave ekskluzive dhe nën kushtet e vendosura prej tij, nëse në këtë ligj nuk parashikohet ndryshe.”,prapë se prapë ata bëjnë si t’ua do qejfi vet.

Pos dëmit material që i shkaktohet autorit, “vjelësit” të bëjnë edhe një shërbim tjetër të keq, mbase më të keq se i pari. Ata shkrimet mund të t’i marrin dhe t’i publikojnë nëpër gazeta dhe revista, të cilat shpesh qëllojnë që të mos kenë ndonjë tirazh, por për më keq të jenë edhe politikisht të përcaktuara, pra të jenë thjeshtë shpesh edhe organe partiake.

Të drejtat e autorit duhet të jenë pjesë e korpusit për të drejtat e njeriut dhe si të tilla duhet të respektohen edhe tek ne dhe në çdo sferë të shoqërisë. Natyrisht që kjo e drejtë ende nuk respektohet në mediet e Kosovës dhe në ato të Shqipërisë.

Për më keq në Kosovë ndeshim një një praktikë të tmerrshme në fushën mediale. Shpesh gazetarët e pandërgjegjshëm, por edhe redaksitë, lajmet dhe informatat i marrin paturpshëm nga publikimet online të gazetave, që tashmë janë shtuar në Kosovë. Nuk janë të rralla as rastet kur në këtë mënyrë merren edhe tema për të cilat gazetari harxhon shumë kohë dhe mund.

Temat e tilla vetëm përfolen ose përmbysen nëpërmjet një gjuhe të përçartë të gazetarëve plagjiatorë. Kjo është gjëja më e keqe që i ndodhë gazetarisë kosovare. Nuk ka gjë më të keqe kur gazetari, duke u shërbyer me këto metoda, nuk i njeh personazhet e shkrimit të tij.

Nga përvoja kam parë se raste të tilla ka shumë, sepse nuk janë të pakta rastet kur personazhet e gazetarëve të tillë drejtohen tek autori i “origjinalit” dhe kërkojnë të dinë se si është e mundur që ata të jenë cituar pa e parë dhe takuar kurrë një të tillë.

Para se e drejta e autorit të respektohet dhe të mbrohet me ligj, është mirë që kjo të jetë temë debati për shoqërinë tonë. Është mirë që vetë mediet të hapin një debat të tillë, i cili do të ishte më shumë në dobi të tyre, mbrojtjes së profesionit dhe profesionalizmit.

 

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident komunikacioni rrugor me fatalitet në Kaçanik

Me datën 29.11.2024 rreth orës 07:30 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Hani Elezit-Kaçanik, tek vendi i...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img