Me qëllim të inkurajimit të një fillimi të mbarë të punës, kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, së bashku me zyrtarë të Komunës, takoi sot stafin e kompanisë së posaformuar “Ambienti”.
Kryetari Svarqa tha se kompania duhet t’i ketë të qarta orientimet e veta programore dhe fushat e veprimit, si dhe duhet t’i kryejë punët dhe detyrat sipas planit të punës.
“Jeni ende në fazën e konsolidimit e të njohjes ndërmjet vete si staf, por njohjen më të mirë duhet ta bëni në punë, së cilës duhet t’i përvisheni menjëherë, sepse Komuna është e interesuar që “Ambienti” të jetë një kompani rentabile, që ekziston dhe funksionon nga puna e saj. Qytetarët duhet ta vërejnë punën tuaj në terren përmes hapësirave publike të mirëmbajtura. Në rast se nuk e arsyetoni ekzistencën tuaj me ndryshime pozitive në terren, nuk do të keni një shans të dytë. Kam besim tek stafi juaj se do të vendosë themele të shëndosha të një kompanie të mirëfilltë, e cila nuk do të ngarkohet me staf të tepërt, që mund të jetë barrë financiare”, tha, ndër të tjera kryetari i Ferizajt.
Kryetari i bordit të kompanisë Shefqet Bajrami, e njoftoi kryetarin Svarqa me gjendjen aktuale të funksionimit të kompanisë “Ambienti”. Ai tha se po rregullohet statuti i ndërmarrjes dhe po përpilohen rregulloret, kurse brenda një kohe të shkurtër do të jetë gati edhe plani i biznesit.
Ndërkaq kryeshefi i kompanisë Izet Rushiti, njoftoi se nga mbikëqyrja e punës në terren, janë evidencuar vështirësi, siç është refuzimi i pagesës nga ana e shfrytëzuesve të paautorizuar të parkingjeve publike, ndërkohë që duhet definuar forma e veprimit në raste të tilla.
Në takim u bisedua më tej për mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe nevoja e definimit të saktë të përgjegjësive të ndërmarrjeve “Ambienti” dhe “Pastërtia”, në mënyrë që të mos ketë mosmarrëveshje as përzierje kompetencash.