29,03,2024

Kryetari i Ferizajt merr pjesë në varrimin e monsinjor Lucian Avgustinit

Must Read

Sot në katedralen “Nënë Tereza” të Vaut të Dejës, u bë ceremonia e varrimit të ipeshkvit të Sapës, monsinjor Lucian Avgustini, i cili ndërroi jetë të dielën pas një sëmundjeje të rëndë.

Monsinjor Avgustini ishte i lindur në Ferizaj dhe njihet për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë popullatës shqiptare të kësaj komune në vitet ’90. Në kohën kur të gjitha institucionet komunale dhe kosovare ishin mbyllur për popullatën shqiptare, nga regj9imi shtypës i Milosheviqit, monsinjor Avgustini, si drejtues i kishës katolike të Ferizajt dhe i Karitasit, së bashku me kolegët e tij, hapi dyet e kishës për zhvillimin e veprimtarive atdhetare, humanitare, kulturore e artistike.

Në varrimin e monsinjor Lucian Avgustinit, mori pjesë edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtorët. Me këtë rast, kryetari Svarqa dha këtë deklaratë:

“Populli i Ferizajt, i të gjitha besimeve, tek figura e monsinjor Lucian Avgustinit, njohu njeriun i cili përgjatë disa viteve, vuri në dispozicion të nevojtarëve gjithë mundësitë njerëzore e materiale që kishte atë kohë kisha katolike dhe sektorët humanitarë të saj. Duke shërbyer në Ferizaj si drejtues i kishës katolike dhe si udhëheqës i Karitasit, gjatë viteve ’90, monsinjor Avgustini u vu në ballë të përpjekjeve për të ndihmuar mbijetesën e popullit shqiptar të kësaj ane, të cilit po i rrezikohej ekzistenca biologjike, nga synimet shfarosëse të regjimit të Milosheviqit. Në kohën e monsinjor Avgustinit, kisha katolike e Ferizajt u bë streha më e sigurt për nevojtarët, por njëkohësisht u shndërrua në qendër kulturore, duke zëvendësuar institucionet e kësaj natyre, që ishin uzurpuar me dhunë.

U shndërrua në vendtakim për intelektualët e veprimtarët, të cilët po përpiqeshin të organizonin rezistencën e padhunshme, për t’i treguar okupatorit se populli shqiptar, e kishte zgjedhur rrugën për të jetuar më vete dhe i pavarur nga Serbia.

Dhjetëra e dhjetëra tubime, shfaqje, manifestime kulturore, promovime librash, kurse dhe ligjërata janë mbajtur ato vite në kishën katolike të Ferizajt. Monsinjor Avgustini dhe bashkëpunëtorët e tij, i kishin hapur dyert me gjithë zemër. Ai thoshte se historia i kishte caktuar fatin që kisha të ishte shtëpi e popullit jo vetëm për besimtarët katolikë, por për për të gjithë ata që kishin nevojë për mikpritjen e saj në ato kohë të rënda. Kurrë ndonjëherë populli shqiptar i Kosovës nuk ka qenë më i bashkuar dhe më solidar se ato vite. Në këtë frymë vëllazërie të paparë, kontributi i shquar i monsinjor Lucian Avgustinit dhe bashkëpunëtorëve të tij, zë vend të nderuar.

Ndaj, ferizajasit i detyrojnë mirënjohje të përjetshme qëndrimit, angazhimit dhe veprimtarisë të tij thellësisht njerëzore dhe atdhetare. Shumica e ferizajasve, më shumë se si një prift katolik, monsinjor Avgustinin do ta kujtojnë si një njeri të madh, që veproi drejt dhe njerëzisht në kulmin e shtypjes e të mizorive që po u bëheshin nga regjimi i Milosheviqit. Ai do të kujtohet gjithmonë si pishtar i humanizmit dhe i mirësisë. Zoti qoftë me të”!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img