Në gjykimin ndaj saj kryeprokurorja e suspenduar e Gjakovës Shpresa Bakija i ka dhënë epitetin e rrences të dëmtuarës Xhemile Karakushi.
Bakija e cila akuzohet se nxori në publik mesazhe private të së dëmtuarës Karakushi, ka komentuar dëshminë e kësaj të fundit duke e pyetur pse po rren? I menjëhershëm ka qenë reagimi i Karakushit e cila në sallën e gjykimit e ka quajtur kryeprokuroren të poshtër.
Kryeprokurorja e Gjakovës e cila me vendim të Këshillit Prokurorial është e suspenduar nga puna, akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare kur nga zyra e saj u nxorën transkriptet e mesazheve private të telefonit të përgjuar të Karakushit. Mesazhet e publikuara kundërligjshëm më pas ishin përdorur për shantazhe ndaj viktimës e cila në atë kohë ishte ndarë nga burri i saj.
E thirrur për të dëshmuar Karakushi ka potencuar se nuk e kishte ditur se ishte nën përgjim, ndërsa e ka marrë vesh për mesazhet në vitin 2012 kur ato ishin dërguar tek familjarët e saj.
“Prindërve të mi nuk u kam treguar për sms-të, por axhës tim dhe një kushëriri të cilët pas kësaj kanë shkuar në shtëpinë e Shpresa Bakijës,” ka rrëfyer dëshmitarja.
Si dëshmitar në gjykatore për rastin është thirrur edhe avokati Teki Bokshi.
Ai nuk ka dhënë ndonjë detaj se nga ka zbuluar mesazhet përderisa ka potencuar se klienti i tij Arbeni e kishte paguar avokatin tjetër Gëzim Baloku në shumë prej 300 eurosh për sigurimin e këtyre tabulateve.
I thirrur për të dëshmuar në gjykatore është ftuar edhe avokati Baloku mirëpo gjatë dëshmisë së tij avokati i Karakushit ka kërkuar që seanca të ndërpritet me kërkesën që Gjykata e Gjilanit të përjashtohet nga gjykimi i kësaj çështjeje.
Aktakuza ndaj kryeprokurores Bakija është ngritur pas raportimit të “Drejtësia në Kosovë” në tetor të vitit 2014.
Atëkohë u raportua se mesazhet telefonike të një gruaje ishin printuar dhe më pas kishin përfunduar në duart e ish- burrit të saj.
Mesazhet të cilat flisnin për një lidhje dashurie jashtëmartesore më pas ishin shpërndarë tek familjarët e gruas, e cila pas zbulimit ishte ndarë nga burri i saj.
Poseduesi i dosjes me mesazhe pranoi se tabulatet ishin marrë nga Prokuroria e Gjakovës dhe për këtë shërbim ai kishte paguar 250 euro.
Deklarata e këtij personi dhënë në “Drejtësia në Kosovë” u shfrytëzua si bazë për nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Gjilanit.
Ndërsa i pandehuri Arben Arifi akuzohet se në qershor të 2014 në Gjakovë me dashje ka cenuar fshehtësinë e të dhënave- dokumenteve të mbyllura, me qëllim të shkaktimit të dëmit personi tjetër, në atë mënyrë që tabulatet e mesazheve të pranuara nga avokati Gëzim Baloku, i hap dhe ia dorëzon personit tjetër përkatësisht vëllait dhe axhës së të dëmtuarës Karakushi dhe të njëjtat i dërgon dhe në Gjykatën Themelore në Gjakovë në mënyrë që të përdoren si prova në çështje tjetër penale.