Duket se Kroacia mendon seriozisht se do të kushtëzojë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, me nevojën që Serbia të përballet me të kaluarën e vet, sidomos kur është fjala për negociatat në kapitullin 23, atë që ka të bëjë me drejtësinë dhe të drejtat themelore.
Edhe pse nuk ka ndonjë vendim të prerë në BE, në këtë proces Kroacia tashmë ka bllokuar hapjen e këtij kapitulli. Këtë në mënyrë të tërthortë e kanë konfirmuar burimet evropiane, të mërkurën, në Bruksel, shkruan sot Koha Ditore.
Ato kanë thënë se “për shkak se Kroacia nuk e ka dhënë fare mendimin e vet, nga rendi i ditës në takimin e fundit të grupit punues për zgjerimin është hequr pika e diskutimeve për hapjen e kapitullit 23 në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE“.
“Ndoshta do të ishte pak e ashpër të thuhet se Kroacia ka bllokuar Serbinë”, ka thënë një diplomat i BE-së.