27,11,2024

Kroacia dhe Shqipëria i ankohen NATO-s për nacionalizmin serb

Must Read

Ministri kroat i Mbrojtjes Damir Krsticeviq dhe homologia e tij shqiptare Mimi Kodheli i kanë shkruar një letër të përbashkët sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku ankohen për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, konfirmoi për BIRN Ministria Kroate e Mbrojtjes.

“Letra shprehte mbështetje për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe gjithëpërfshirje, por gjithashtu shprehte shqetësim rreth zhvillimeve të fundit të cilat mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës dhe në sigurinë në kontekst më të gjerë”, tha ministria për BIRN.

Ministria shtoi se letra i bëri thirrje NATO-s “të tregojë vëmendje në ruajtjen e sigurisë së Kosovës dhe të marrë në konsideratë hapa konkretë për të forcuar përpjekjet e aleancës në ndërtimin e kapaciteteve lokale institucionale”.

Në fund të letrës së tyre, ministrat shkruan se Kroacia dhe Shqipëria kanë dhënë tashmë mbështetje për kthimin e forcave të sigurisë së Kosovës, aktualisht të armatosura lehtë, në një ushtri me të drejta të plota – një nismë që nuk ka gjetur mbështetje nga serbët e Kosovës.

Gjatë një takimi në Bruksel të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, të mërkurën dhe të enjten, dy ministrat dënuan gjithashtu “retorikën nacionaliste nga politikanët serbë dhe veprimet konkrete në kufi”, raportoi Reuters të enjten.

Ministria Shqiptare e Mbrojtjes tha për Reuters se zyrtarët e Kroacisë dhe Shqipërisë besonin se veprime të tilla kanë për qëllim të cenojnë “sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe të destabilizojnë situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”.

Media raportoi të enjten se dy ministrat kanë kërkuar rishikime të Planit Operativ për Misionin Paqeruajtës në Kosovë, por nuk pati specifikime se si do të bëhej kjo.

Në janar, marrëdhëniet shpesh të tensionuara Serbi-Kosovë u përkeqësuan kur një tren që udhëtonte nga Beogradi në qytetin verior të Kosovës, Mitrovicë, u ndalua në kufi nga policia e Kosovës.

Treni i parë në 18 vjet që udhëtonte deri në Mitrovicë, një qytet i ndarë mes serbëve dhe shqiptarëve, mbante mesazhin “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë të ndryshme, përfshirë gjuhën shqipe, gjë që u pa gjerësisht si provokim.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq akuzoi Kosovën se kishte planifikuar të sulmonte në kufi me ndërhyrje të forcave speciale të policisë.

Ndërkohë, presidenti serb Tomislav Nikoliq qe edhe më i drejtpërdrejtë, kur tha se prania e policisë speciale nga Prishtina në veri të Kosovës do të thoshte se “shqiptarët duan luftë”.

“Ne nuk kërkojmë luftë, por do të dërgojmë ushtrinë nëse është e nevojshme të mbrohen serbët nga mundësia e vrasjeve. Nëse ata [shqiptarët] do të vrasin serbët, ne [Serbia] do të dërgojmë ushtrinë, do të shkojmë [në Kosovë për luftë]. Dhe unë do të shkoj, nuk do të ishte hera e parë”, kërcënoi ai.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u përgjigj se Kosova “respekton lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, por shtoi se një tren i mbuluar me mesazhe nacionaliste në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës ishte “krejtësisht i papranueshëm”.

Pas luftës së vitit 1999 mes forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendi shpalli pavarësinë në vitin 2008.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img