03,07,2025

Krasniqi: Heshtja ndaj kërcënimeve të Beogradit, e nxitë atë për konflikte të reja

Must Read
Jakup Krasniqi

Ai në një shkrim autorial po ashtu ka shfaqur bindje se ndaj këtyre kërcënime as institucionet e Kosovës as që mendojnë t’u përgjigjen këtyre kërcënimeve.

Krasniqi ka thënë se heshtja ndaj tyre u pa edhe në debatin e 12 tetorit në Kuevendin e Kosovës, sidomos ai I deputetëve të koalicionit qeverisës, shkruan lajmi.net.

“Kam bindjen e plotë se institucionet tona as që mendojnë t’i përgjigjen këtyre kërcënimeve sepse ato bartin një masë të përgjegjësisë për këtë defansivë diplomatike që na karakterizon. Defansivë ishte edhe debati që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës më 11 e 12 tetor 2016, sidomos ai i partive të koalicionit qeverisës”, shkruan Krasniqi.

Teksti i plotë i tij:

LOGJIKA E VJETËR DHE KËRCËNIMET E REJA TË TOMISLLAV NIKOLIQIT

 Më 10 prill të vitit 2014 reagova lidhur me intervistën që Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi, i kishte dhënë gazetës “Die Presse” të Austrisë. Në atë intervistë Tomisllav Nikoliqi përsëriti propagandën e moçme të regjimit të Millosheviqit për Çështjen e Kosovës dhe minimizoi skajshmërisht pasojat e politikës së gjenocidit që shteti serb kishte kryer në Kosovë.

Mohimi i gjenocidit serb në Kosovë dhe paraqitja e Serbisë si “viktimë e një komploti ndërkombëtar” ishte përgatitja e terrenit propagandistik për të kaluar në ofensivë diplomatike. Kjo ofensivë diplomatike e Serbisë kundër Kosovës arriti kulmin më 12 tetor 2016. I trimëruar nga vizita e tij në Rusi, Presidenti serb u kërcënua se ngjarjet mund të marrin kahe shumë të keqe dhe se Serbia është e gatshme të sillet me shqiptarët e Kosovës në të gjitha mënyrat e mundshme. Madje, fakti se ai përjashtoi mundësinë që dikush ta bombardojë përsëri Serbinë nxjerr në shesh se Serbia është duke u përgatitur të përsërisë skenarët e vjetër. Për ne është e qartë se logjika e vjetër nuk mund të prodhojë asgjë tjetër pos kërcënime të reja!

Por, a janë të vetëdijshme institucionet ndërkombëtare, sidomos ato që kanë për vokacion ruajtjen e paqes dhe sigurisë, se heshtja përballë këtyre kërcënimeve inkurajon pushtetin kriminal të Beogradit të nxisë konflikte të reja, që destabilizojnë tërë regjionin e brishtë të Ballkanit Perëndimor.

Sa janë të përgjegjshme institucionet shtetërore të Kosovës që t’i përgjigjen në mënyrë adekuate kërcënimeve dhe rreziqeve që na kanosen? Kam bindjen e plotë se institucionet tona as që mendojnë t’i përgjigjen këtyre kërcënimeve sepse ato bartin një masë të përgjegjësisë për këtë defansivë diplomatike që na karakterizon. Defansivë ishte edhe debati që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës më 11 e 12 tetor 2016, sidomos ai i partive të koalicionit qeverisës.

Nëse dikush e bën veshin e shurdhër përpara këtyre kërcënimeve të reja, ne e kemi për borxh të rikujtojmë se gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-1999, ushtria dhe policia serbe vrau 13290 persona, prej të cilëve 1450 ende konsiderohen të zhdukur. Nga numri i të vrarëve, 1392 ishin fëmijë ndërsa 1739 ishin gra. Krahas vrasjeve të civilëve të paarmatosur, ndaj 20400 grave u përdor dhuna seksuale.U rrënuan 123 objekte shëndetësore, 93 biblioteka, 30 shtëpi kulturore, 215 xhami, teqe dhe tyrbe të myslimanëve dhe 5 kisha katolike, 88101 shtëpi dhe objekte ndihmëse. Krimi i gjenocidit as nuk harrohet e as nuk falet. Gjenocidi pret ndëshkimin  e merituar.

Jam plotësisht i vetëdijshëm se strukturat politike të regjimit aktual të Beogradit janë larg njohjes së krimeve që shteti i tyre u ka shkaktuar shqiptarëve dhe larg angazhimeve që përgjegjësit e krimeve të dalin para drejtësisë. Por, po e përsëris edhe një herë, atë që duhet ta dinë udhëheqësit e rinj të mentalitetit të vjetër të Beogradit qëndron në realitetin e ri se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe këtë proces nuk mund ta kthejnë prapa as gënjeshtrat e diplomacisë serbe e as kërcënimet e udhëheqësve shtetërorë të Serbisë.

Duke përfunduar, nënvizoj faktin se klasa e sotme politike e Beogradit në krye me Nikoliqin e Vuçiqin, kanë dalë nga kapota e politikës luftënxitëse të Millosheviqit e te Sheshelit, dy të akuzuarve kryesorë për krime të luftës në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, të cilët ishin pjesë e të gjitha problemeve të krijuara në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe si të tillë nuk mund të jenë pjesë e zgjedhjeve të problemeve të krijuara nga vetë këta!

 

 

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka hapur sot konkursin për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor dhe master për...

Në këtë vit akademik në nivelin bachelor, do të pranohen 420 studentë të rregullt, prej të cilëve 50 vende...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img