Krasniqi ka thënë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
Ja statusi i plotë i tij:
Në themel të filozofisë së ligjit qëndron bindja se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Masakrat më mizore të kryera në Evropë në fundshekullin e kaluar ende nuk kanë asnjë ushtarak serb të vendosur para përgjegjësisë ligjore, ndërkohë që udhëheqës të luftës sonë për liri marrin dënime kaq të rrepta bazuar në akuza të bëra për shuplaka e kërcënime.
Sot që kanë kaluar 17 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk kemi qoftë një të dënuar për viktimat e panumërta të pafajshme të masakrave të Prekazit, Reçakut, Obrisë, Krushës, Bellacërrkës, Mejës, Grashticës, Dubravës e shumë masakrave të tjera. Pandëshkueshmëria e këtyre krimeve dhe goditjet e njëpasnjëshme që po iu bëhen heronjëve tanë çlirimtarë, lënë hapësirë për dyshime për standarde të dyfishta. Sot, shumë njerëz mund të dyshojnë edhe për një përpjekje për të revizionuar historinë. Apo për një përpjekje për të zhdukur dallimin mes të vuajturve dhe kriminelëve që shkaktuan vuajtjet.
Të gjitha viktimat meritojnë drejtësi. Dhe drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje. Por, para së gjithash, drejtësia duhet të jetë e paanshme.
Në këtë moment të gjithë duhet të tregojmë solidaritet për të mbrojtur vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e jo ta shfrytëzojmë këtë situatë delikate për interesa të ngushta politike e partiake. Pra, ne duhet të jemi të bashkuar për të mbrojtur këtë pjesë të ndritur të historisë sonë e të mos lejojmë asnjë që të shfrytëzojë këtë situatë të rëndë emocionale për të mbjellë përçarje e gjuhë të urrejtjes mes njëri tjetrit. Bashkëndjenja me ta është më e pakta që mund t’u japim sot çlirimtarëve të vendit tonë.
.