Kosova në fund të dhjetorit do t’i ketë rezultatet e vlerësimit ndërkombëtar të cilësisë së nxënësve në arsim PISA, ku ka marrë pjesë për herë të parë, krahas rreth 70 vendeve të ndryshme të botës.
Mbi 5 mijë nxënësit nga Kosova që janë testuar vitin e kaluar nga ky program i cilësisë ndërkombëtare do të tregojnë rezultate me të cilat do të matet cilësia në nivel të vendit të cilat shërbejnë për të parë nivelin e dijes dhe politikat arsimore të vendit tonë.
Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në MASHT, Mustafë Kadriu, ka thënë se Kosova këtë vit për herë të parë po e bënë vlerësimin më të besueshëm ndërkombëtar për cilësi në arsim.
“Unë konsideroj se PISA është një prej vlerësimeve më të besueshme ndërkombëtare, andaj edhe Kosova është pritë mjaft mirë dhe është pranuar në këtë vlerësim që fillimisht më 2012 aplikimi, më 2013 përgatitja, përpilimi i materialeve, shënimeve të nxënësve, pyetësorit të nxënësve, pyetësorit të shkollës, më 2014 e kemi bërë pilotimin e testit çka jep me kuptua formën e menaxhimit të procesit dhe më 2015 e kemi pas testin final. Në testin final kanë marrë pjesë një numër shumë i madh i nxënësve, si edhe në testin pilot dhe përzgjedhja e shkollave, 225 shkollave dhe mbi 5 mijë nxënësish është zgjedh me programe të cilat PISA i ka edhe preferuar. Përzgjedhja ka qenë me rastësi si në përzgjedhje të shkollës po ashtu rastësi ka qenë edhe përzgjedhja e nxënësve që jep me kuptuar se një përzgjedhje me rastësi është në interes të përgjithshëm për një rezultat sa më të besueshëm që na del prej vlerësimeve të tyre”, ka deklaruar Kadriu.
Sipas tij, pyetjet nga vlerësimi PISA janë të njëjta në të gjithë botën që do të thotë se nuk është vlerësim i kurrikulave të një shteti por mat shkathtësitë e nxënësve 15 vjeçar.
Kadriu ka thënë se tani për tani Kosova nuk ka asnjë element me të cilin mund të thotë se do të dalin këto rezultate apo këto rezultate, mirëpo ka shtuar se Kosova për herë të parë do të matet me shtetet tjera që kanë marrë pjesë më herët në këtë vlerësim, derisa herën e ardhshme vlerësimi do të krahasohet me rezultatet e vitit 2016.
Ai edhe pse nuk ka dashur ta parashikojë rezultatin e këtij vlerësimi, është shprehur se nuk dëshiron që Kosova të jetë ndër vendet e fundit.
Vlerësimi PISA që është bërë me nxënësit 15 vjeçar të shkollave të Kosovës, është bërë për të parë pozicionin e Kosovës krahasuar me shtetet pjesëmarrëse që kanë marrë pjesë më herët në këtë vlerësim.
Kadriu është shprehur se testi ka përmbajt pyetje nga fushat e leximit, matematikës dhe shkencave, ku kanë marrë pjesë mbi 5 mijë nxënës të cilët janë përzgjedhë me rastësi.
Në Kosovë nga 5 mijë e 300 nxënës sa janë përzgjedhë për t’iu nënshtruar testit, kanë marrë pjesë 5 mijë e 150 dhe testi ka përfunduar për një ditë, ku ka zgjatë dy orë e gjysmë.
Kadriu ka thënë se testi ka përmbajt pyetje të hapura, të mbyllura, si dhe me plotësime.
Kosova tani për herë të parë pret rezultatet e këtij vlerësimi derisa ka aplikuar sivjet për të marrë pjesë për herë të dytë në këtë vlerësim i cili do të bëhet në vitin 2018.