17,04,2024

Konstatohet shkelja e privatësisë ndaj deputetes së opozitës

Must Read

Deputetja ishte arrestuar të enjten në mëngjes në shtëpinë e saj në Vushtrri, por paraprakisht Policia kishte nxjerrë në publik një dokument në të cilin ishin përfshirë të gjitha të dhënat e saj personale, përfshirë numrin e letërnjoftimit dhe adresën e banimit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kjo Agjenci tha se tha se Policia ka tejkaluar qëllimin e vet me veprimin që ka bërë.

“Pavarësisht nga kjo, mund të konstatohet se në këtë rast, vet publikimi i dokumentit (urdhër-arrestit) e tejkalon qëllimin për të cilin janë përpunuar këto të dhëna. Institucionet që i përpunojnë këto të dhëna, kanë obligim ligjor të marrin masat e duhura të sigurisë që këto të dhëna të përpunohen brenda kompetencave dhe autorizimeve ligjore e procedurale”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.

Dërguti ishte arrestuar për t’u sjellë në Prokurori për ta dhënë një deklaratë rreth akuzave që e ngarkojnë atë për përdorim të gazit lotsjellës në seancat e vitit të kaluar të Kuvendit kur deputetët e opozitës kundërshtonin marrëveshjen e Kosovës me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit dhe një marrëveshje tjetër me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Duke folur për KALLXO.com, deputetja e Vetëvendosjes, e cila është edhe anëtare e Kryesisë së Kuvendit, Aida Dërguti, tha se nuk e di kush e ka publikuar atë dokument, por paralajmëroi se do të kërkojë përgjegjësi.

“Në të vërtetë nuk e di nëse urdhër arrestin e ka publikuar Policia apo Prokuroria. Sidoqoftë, këto institucione mbajnë përgjegjësi për publikimin e të dhënave të mia. Për këtë çështje do t’i drejtohem Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave dhe natyrisht që do të paraqes ankesë, jo me shpresën që do të ndërmerren masa ndaj zyrtarëve përgjegjës por me idenë e evidentimit të shkeljeve”, tha Dërguti.

Ajo këtë rast e konsideroi si shkelje të të dhënave personale.

Dërguti më tutje tha edhe se gjatë kohës kur ishte në Prokurori nuk ka qenë i pranishëm avokati.

“Përveç kësaj shkeljeje, në Prokurori nuk ishte i pranishëm as avokati që do të duhej të sigurohej sipas detyrës zyrtare”, shtoi ajo.

E pyetur se pse ka qëndruar vetëm për 5 minuta në Prokurori, Dërguti tha se prokurorja Bukurije Gjonbalaj  e ka pyetur vetëm se a dëshiron të deklarohet.

“Në pyetjen e prokurores Bukurije Gjonbalaj se a dua të deklarohem i kam thënë se aksionet politike ne Kuvend nuk janë në domenin e saj siç nuk janë as shqyrtimet e marrëveshjeve. Rrjedhimisht, nuk kam çka të deklaroj. Më janë marrë të dhënat personale dhe jam liruar”, tha Dërguti.

Dërguti  ka thënë edhe se është njoftuar nga një zyrtar policor se ka ftesë në prokurori e kjo ftesë ishte në prag të festave të fundvitit.

“Në prag të festës së Vitit të Ri, më ka thirrur në telefon një polic i cili më ka treguar se jam ftuar nga prokurorja për të dhënë deklaratë. Natyrisht që i jam përgjigjur se nuk kam çka të deklaroj dhe rrjedhimisht nuk do të vij”, ka thënë Dërguti.

KALLXO.com që nga e enjtja ka tentuar të marrë edhe një deklaratë nga policia në lidhje me publikimin e urdhër arrestit të Aida Dërgutit por ata nuk janë përgjigjur ende.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Në Ferizaj u shënua 16 Prilli-Dita e të Zhdukurve me Dhunë

Me rastin e 16 Prillit - Ditës të të Zhdukurve me Dhunë në Komunën e Ferizajt, Komuna e Ferizajt...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img