Editorial

Komplikimet e diabetit mellitus


Publikuar më:


Dr. Fatbardh Ramadani

        Diabeti  apo e njohur në popull si sëmundja e sheqerit, paraqet një sëmundje kronike e cila karakterizohet me rritje të nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak.

Kjo sëmundje nëse nuk menaxhohet si duhet mund të jap komplikime serioze e madje edhe kërcënuese për jetën e njeriut.

Një nga komplikimet e diabetit është nefropatia diabetike, si një nga shkaktarët kryesor të sëmundjes terminale të veshkave. Nivelet e larta të sheqerit në gjak, bëjnë që veshkat me kalimin e kohës të dëmtohen dhe të lëshojnë proteina të nevojshme për trupin tonë jashtë me urinë. Me kohë veshkat mund të humbin aftësinë e tyre filtruese. Prandaj pacientët me diabet duhet të bëjnë kontrolla rutinore dhe duhet që vazhdimisht të kontrollojnë funksionin e veshkave, për të parandaluar dëmtimin e parikthyeshëm të tyre në të cilin stad pacienti duhet të filloj dializën apo të ketë nevojë për transplant të veshkës.

Tjetër komplikim i diabetit është edhe retinopatia diabetike apo sëmundja diabetike e syrit. Ngritja e niveleve të sheqerit në gjak mund të dëmtoj enët e vogla të gjakut të shtresës së retinës në sy. Pacientët mund të mos vërejnë pengesa në të pamur prandaj ne gjithmonë iu preferojmë vizitat te oftalmologu së paku një herë në vit, ashtu  që ti shmangemi dëmtimeve të pakthyeshme të syve të cilat mund të qojnë pacientin në probleme me shikim e deri në verbim.

Neuropatia diabetike, paraqet një nga komplikimet më të shpeshta të diabetit. Pacientët ankohen në mpirje dhe dhembje të ekstremiteteve sidomos këmbëve. Pothuajse gjysma e pacientëve me diabet kanë dëmtim të nervave nga sëmundja. Por mbajtja e nivelit optimal të sheqerit në gjak do të ndihmoj në parandalimin apo vonimin e këtij dëmtimi. Kjo gjendje mund të shkaktojë ulje të ndjeshmërisë ndaj dhimbjes dhe ndryshimit të temperaturës. Personat me neuropati  shpesh nuk e vërejnë  që janë dëmtuar dhe në shumë raste plagët e tyre infektohen pa e kuptuar. Në disa raste, personat me neuropati janë  shumë të ndjeshëm ndaj dhimbjes dhe kanë dhimbje konstante edhe në gjendje qetësie.

Pacientët me diabet kanë rrezik të shtuar për zhvillim të sëmundjeve kardiovaskulare. Ateroskleroza e enëve të gjakut sidomos e atyre të zemrës, trurit, ekstremiteteve është një komplikim mjaft i shpeshtë i sëmundjes së diabetit. Zhvillimi i saj favorizohet nga çrregullimi i metabolizmit të lipideve. Te pacientët me diabet shpesh herë nuk paraqiten simptomat e zakonshme të dhembjes së gjoksit si lajmëtare e problemeve të zemrës, që është karakteristike e zakonshme te pacientët tjerë.

Komplikimi në formën e shputës diabetike, është mjaft i shpeshtë dhe në një përqindje të caktuar qon edhe deri te amputimi i gjymtyrëve.

Shenjat e shputës diabetike mund të paraqiten në formë të infeksioneve mikotike midis gishtave të këmbëve, myk të thonjve, lëkurë të thatë, lëkurë e plasaritur, formim i kallove të trasha, futja e thonjve në mish, formimit të plagëve si ulcera diabetike. Janë dy faktorë që ndikojnë në ndryshimet në shputë, e para se ka qarkullim të pamjaftueshëm të gjakut përgjatë këmbës dhe e dyta neuropatia diabetike e cila paraqet humbje të ndjeshmërisë të nervave të këmbëve si pasojë e diabetit të vendosur në kohë.  Kjo humbje e ndjeshmërisë së nervave do të bëj që pacienti mos të dalloj me kohë problemet me këmbën e tij, pra ata me vonesë do të vërejnë ndryshimet në këmbët e tyre.

Plagët diabetike janë të vështira për tu trajtuar sepse nuk furnizohen mirë me gjak dhe mundësia e mbylljes së tyre është e vështirë.

Disa nga rekomandimet tona për pacientët me diabet për sa i përket shputës diabetike janë: mbathja e këpucëve adekuate dhe jo të ngushta, kontrollimi nga vet pacienti të shputave për të vërejtur ndonjë skuqje të shputave, plasaritje të lëkurës, apo ndonjë ndryshim tjetër.

I rekomandojmë pacientëve të shmangin prerjen e rrumbullakët të cepave të thonjve. Qorapat të jenë të buta jo shtrënguese. Këmbët të lahen çdo ditë me ujë të vakët dhe sapun hidratues dhe pas kësaj tharjes me peshqir të pastër sidomos të hapësirave ndërmjet gishtave të këmbëve.

Për ti shmangur komplikimet e diabetit, unë si endokrinolog i rekomandoj të gjithë pacientët me diabet të mbajnë në nivele adekuate sheqerin në gjak,  duke përdorur terapinë me rregull, duke u kujdesur në ushqimet të cilat i konsumon si dhe të bëj aktivitet fizik të rregullt.

To Top