16,05,2024

Këta janë kandidatët për kryetar të Ferizajt

Must Read

Image

Muharrem Svarqa

Është kryetar aktual i Ferizajt dhe kandidon edhe për një mandat. Ka qenë udhëheqës i trafikut urban në kompaninë “Kosovatrans” në Ferizaj, 16 vjet, në kohën e paraluftës. Që nga viti 1989 është aktivist i LDK-së, për t’u bërë anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i këtij subjekti nga shteti i Gjermanisë. Ka marrë pjesë 3 herë në Kongresin e CDU-së si përfaqësues i LDK-së. Svarqa për herë të dytë garon si kandidat për kryetar të Ferizajt. Ka thënë se gjatë 4 vjetëve të qeverisjes Ferizaj ka pësuar ndryshime cilësore në qytet, duke ia kthyer krenarinë dhe dinjitetin me qeverisje të mirë. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe të qeverisjes ka pasur investime të mëdha në infrastrukturë rrugore, kanalizim, ujësjellës, shëndetësi, arsim etj. Ka thënë se këto investime kanë rritur zhvillimin ekonomik, derisa në vitin 2013 kanë qenë 7100 biznese, ndërsa sot janë 11 mijë e 860 sosh, të cilat kanë rritur fuqinë ekonomike dhe janë gjeneruar vende të reja të punës. Svarqa ka thënë se prioritet i tij për qeverisjen e ardhshme është vazhdimi i punës për të krijuar një klimë më të favorshme për biznese, derisa Kosova ka shënuar rritje të madhe ekonomike nga bizneset e Ferizajt. Shtylla e dytë kryesore për Svarqën është zgjidhja e problemeve jetike për banorët, ato projekte strategjike të munguara deri tashti, siç janë zgjidhja e problemit jetik të varrezave për qytetarët e Ferizajt, po ashtu është zotuar se do të angazhohet për zgjidhjen e problemeve të tjera të shëndetësisë dhe ndërtimin e spitalit rajonal, ndërkaq në kuadër të kësaj do të ndërtohen edhe komplekse spitalore për trajtimin e diabetit. Gjithashtu është zotuar se do të punojë për rehabilitimin e hekurudhës nëntokësore.

Image

Agim Aliu

Ka qenë kryetar Komune në mandatin e kaluar të qeverisjes në Ferizaj. Në zgjedhjet e 2013-s ka humbur garën përballë kryetarit aktual Muharrem Svarqa. Juristi ka studiuar edhe në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Gjatë luftës së fundit në Kosovë ka qenë i rreshtuar si pjesëtar i UÇK-së, ndërkohë është një ndër themeluesit e Degës së PDK-së në Ferizaj. Ai ka thënë se në qeverisjen e ardhshme synojnë fuqizimin e rolit të KK-së, derisa legjislativi është pjesë e ballafaqimit të ideve dhe është vullnet i cili shpërfaq interesin e gjithë qytetarëve të Komunës së Ferizajt, ndaj KK-ja duhet ta marrë tempullin e demokracisë ashtu siç i takon duke qenë i lirë në vendimmarrjen e atyre që kanë të bëjnë me interesin qytetar, por jo të funksionojë për interesa të ekzekutivit.Shtylla kryesore e PDK-së është vazhdimi i disa projekteve kapitale të cilat i kanë nisur gjatë qeverisjes së kaluar për zhvillimin ekonomik me subvencionim biznesesh me mjete monetare, pastaj heqja totale e taksës së bizneseve etj. Sipas Aliut, nëpërmjet zhvillimit ekonomik do të gjenerohen edhe vende të reja të punës. “Top prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik dhe ngritja e mirëqenies së qytetarëve. Ky synim do të realizohet duke krijuar fondin e punësimit, nëpërmjet implementimit të dy projekteve zhvillimore, subvencionimi i bizneseve me mjete dhe subvencionimi i kamatave, duke mundësuar punësimin e rreth 5.250 personave për 4 vjetët e qeverisjes”, ka thënë Aliu. Sipas tij, do të angazhohet për ndërtimin e spitalit rajonal, i cili projekt ishte nisur nga iniciativa e PDK-së. Gjithashtu ka premtuar ndërtimin e dhjetëra QMF-ve nëpër fshatra.

Image

Faton Topalli

Ka lindur në Prishtinë, ndërkaq Fakultetin e Shkencave Sociale e ka përfunduar në Zvicër, ku edhe ka magjistruar. Në Zvicër ka punuar në sektorin privat dhe atë publik si në Entin Federal për Migracionin, ka drejtuar projekte të ndryshme kulturore dhe integruese, si këshilltar në shërbimin psikosocial në Cyrih, ligjërues i jashtëm në Fakultetin e Shkencave Sociale në Zyrih, si pedagog social për institucione të ndryshme në komuna dhe kantone si Schaffhausen, Thurgau, Cyrih, etj. Ai është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës për 2 mandate radhazi. Ka garuar edhe në zgjedhjet e kaluara për kryetar të Ferizajt nga radhët e LVVsë, por nuk ka mundur ta fitojë atë garë. Ka thënë se në qendër të të gjitha politikave që do t’i zhvillojnë do të jetë njeriu dhe interesi i tij. Në Ferizaj do të qeverisë së bashku me qytetarët. Sipas tij, kjo nënkupton krijimin e mekanizmave për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, në ndarjen e buxhetit, në përmirësimin e shërbimeve. “Shërbimet e mira dhe transparenca radikale do të na përcjellin në çdo hap të qeverisjes. Në programin tonë qeverisës kemi caktuar prioritete kryesore shëndetësinë, arsimin dhe urbanizmin. Gjatë qeverisjes sonë do të rregullohet infrastruktura e institucioneve shëndetësore, do të ketë mjaftueshëm barna esenciale, shërbime të specializuara dhe për secilin qytetar do të jetë e ndjeshme dhe e prekshme se ndodhet në një institucion shëndetësor”, ka thënë Topalli. Në fushën e arsimit, Topalli ka thënë se do të departizohet i gjithë sistemi, do të ketë laboratorë për fizikë dhe kimi, shujta për nxënës sipas shembullit të Prishtinës dhe rafte për libra për të liruar barrën e çantave të nxënësve. “Urbanizmi është një prej problemeve kryesore. Do t’i bëjmë hartat zonale dhe do të vëmë rregull në urbanizëm, duke u mbështetur në ligjet ekzistuese. Ferizaj do të kthehet në një qytet në të cilin mund të jetohet, me hapësira të gjelbra e ku qytetarët që kanë blerë banesa do t’i kenë edhe certifikatat e pronësisë. Në zhvillimin e urbanizmit do të punojmë së bashku duke pasur parasysh interesat e qytetarëve, interesat e banuesve dhe interesat e biznesit”, ka thënë Topalli. Duke sqaruar se gjatë qeverisjes së VV-së do të ketë ndërtime të cilat do t’i respektojnë ligjet në fuqi.

Image

Xhavit Zariqi

Ekonomisti i diplomuar Xhavit Zariqi garon për herë të dytë në zgjedhjet lokale për kryetar të Ferizajt. Aktualisht është nënkryetar i Komunës. Më 1998 është arrestuar nga forcat serbe për shkak të angazhimit të tij në financimin e UÇK-së dhe asokohe ishte dënuar me 3 vjet burgim. Zariqi ishte këshilltar i KK-së që nga viti 2000 deri në 2013. Ka thënë se zhvillimin ekonomik do ta çojë sa më lart duke i mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme me projekte të ndryshme nga buxheti i Komunës, pastaj do të hiqen të gjitha pengesat dhe barrierat administrative dhe duke i ndihmuar në të gjitha format që ekzistojnë në kompetencë të Komunës. Ai ka thënë se për zhvillimin ekonomik e ka edhe një mbështetje nga kryeministri i Kosovës, i cili e udhëheq AAK-në në nivel vendi. “Në kuadër të zhvillimit ekonomik do të krijohen deri në 5 mijë vende të reja pune për një vit. Ndërkaq brenda një mandati do t’i punësojmë 20 mijë veta”, ka thënë Zariqi. Ai si prioritet e ka edhe shëndetësinë, duke e vendosur në sistem të kontrollit dhe të funksionimit ligjor. Pastaj duke ua pamundësuar që mjekët t’i mbajnë nga 2 vende pune, qoftë privat apo publik, ndërkaq do të angazhohet që gjatë qeverisjes së tij ta finalizojë projektin e spitalit rajonal. “Në arsim do ta luftojmë familjarizimin, punësimet mbi baza partiake dhe interesa personale, sepse në arsim do të punojnë vetëm kuadrot profesionale. Këto dukuri do të eliminohen dhe do të kemi cilësi në arsim. Mësimi gjithëditor do të organizohet sipas hapësirave shkollore, duke u siguruar nxënësve shujta cilësore të ushqimit”, ka thënë Zariqi.

Image

Besnik Berisha

Garon për herë të parë si kandidat për kryetar të Ferizajt. Është ekonomist i diplomuar. Ishte gazetar dhe veteran në kohën e luftës së fundit. Ndërkaq pas luftës pati themeluar një televizion lokal në Ferizaj. Ka punuar si zyrtar në Ministrinë e Brendshme në të cilën është ballafaquar me një proces gjyqësor rreth skandalit me pasaporta, por nga ato akuza ka dalë i pafajshëm. Qëllimi parësor i tij është luftimi i dukurive negative dhe i korrupsionit, të cilat, sipas tij, deri tashti janë trashëguar nga qeverisjet e kaluara dhe nga qeverisja aktuale në Ferizaj. Luftimin e korrupsionit nëpër tenderë do ta bëjë duke i monitoruar të gjitha komisionet dhe ecuritë e procedurave, pastaj do t’i inspektojë të gjitha punimet në terren, të cilat duhet të realizohen sipas standardeve dhe kritereve të nënshkruara. Ka prioritet edhe hapjen e vendeve të reja të punës nëpërmjet sektorit të bujqësisë duke u ofruar të gjitha familjeve të interesuara serra dhe fidanë mjedra. Qeverisjet e kaluara asnjëherë nuk kanë menduar që familjeve skamnore t’ua siguronin të paktën një pagë mujore nëpërmjet zhvillimit të bujqësisë, ndaj Nisma e ka një projekt të tillë i cili do të realizohet në të ardhmen”, ka thënë Berisha.

Image

Qazim Rrahmani

Kandidon për herë të parë për kryetar të Ferizajt nga subjekti politik PAI. Beson se për të pasur sukses, secila politikë publike duhet të jetë teknikisht korrekte, praktikisht e zbatueshme dhe politikisht e përkrahur, ndaj ka sqaruar se duhet sjellë diçka të re për ndryshime në Ferizaj. Ai ka thënë se subjekti PAI tashmë ka një vizion të ri, teknikisht korrekt, i realizueshëm, dhe politikisht i përkrahur. Sipas tij, i vetmi interes i tyre është mirëqenia e banorëve të Ferizajt, ndaj Rrahmani bën me dije se i ka hyrë kësaj gare për të vënë gjithë kapacitetet e tij në shfrytëzim të bashkëvendësve. Ka thënë se ka 2 prioritete kryesore: zhvillimin ekonomik, nëpërmjet të të cilit do të gjejë zgjidhje për tregti nëpërmjet stimulimit të bizneseve me projekte të ndryshme, pastaj do ta bëjë ndarjen e zonave ekonomike në qytet dhe fshatra, duke u dhënë bizneseve që duan zhvillim biznesi në Ferizaj. Ndërkaq prioritet tjetër ka përzgjedhur shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, duke e sfiduar veten se mund të bëjë ndërtim të QMF-ve në çdo fshat dhe lagje ku jetojnë së paku një mijë banorë. Në kuadër të mirëqenies sociale planifikon ndërtimin e shtëpive për të gjithë ata banorë që kanë nevojë.

Image

Bashkim Fazliu

I njohur me nofkën Migjeni, garon për herë të dytë si kandidat për kryetar të Ferizajt. Thotë se është autor, inovator, poliglot, figurë publike, aktivist, publicist dhe veteran i luftës së UÇKsë. Ka lindur në Ferizaj. Ka kualifikime dhe është i shkolluar për: inxhinier të elektroteknikës drejtimi kompjuterik me telekomunikacionin, master në inxhinierinë elektronike dhe master në menaxhment gjeneral internacional. Ka studiuar, po ashtu, edhe në Juridik. Ka një sërë shkollimesh të tjera, specializime dhe trajnime të certifikuara botërisht nga më të ndryshmet në menaxhment, lidership, integrime evropiane, shkollën politike të Këshillit të Evropës etj. Ka një përvojë të gjatë gati 2 dekada në menaxhim, si në organizata publike dhe private. Ka qenë dy herë këshilltar në KK të Ferizajt. Njihet si inovator dhe programer, ku ndër më të spikaturat është inovacioni “Nokia në gjuhën shqipe”, “Windows“ në shqip, aplikacione të tjera së fundmi edhe me inovacionin botëror “Mik- Mik” – kablloja mbushëse nga telefoni në telefon, duke zotëruar patentë e certifikata ndërkombëtare. Ai me pak fjali ka shprehur platformën e tij qeverisëse për 4 vjetët e ardhshëm, duke u zotuar se do t’i hapë 10 mijë vende të reja të punës. “Programi ynë është i bazuar në mentalitetin e inovacionit dhe i fokusuar ekskluzivisht në RINI dhe INOVACION, si vijon: A) 10.000 vende pune të garantuara, B) 100 euro stimulim për çdo student të rregullt të Ferizajt, qoftë në universitete publike apo private. C) Hapja e një qendre të inovacioni në Ferizaj”, ka thënë ai. Fazliu ka shtuar se fokusi kryesor i programit të tij është përqendruar për inovacion. “Unë ua garantoj qytetarëve se me mentalitetin e inovacionit mund t’i krijojmë 10 mijë vende të reja të punës brenda 4 vjetëve. Ndërkaq brenda 8 vjetësh i garantoj ferizajasit se me novacion do ta bëjmë Ferizajn një Kaliforni të Vogël”, ka thënë ai.

Image

Amir Rexhepi

Historiani nga Kosharja e Ferizajt, Amir Rexhepi, garon për herë të parë për kryetar të Ferizajt nga radhët e AKR-së. Ka punuar si mësimdhënës i historisë në disa shkolla. Aktualisht është ushtrues detyre i drejtorit në SHF “Dëshmorët e Koshares”. Për të garuar në këto zgjedhje ai ka marrë edhe mbështetjen e presidentit të AKR-së, Behxhet Pacolli. Rexhepi ka thënë se furnizimi i spitalit dhe i QKMF-së me barna esenciale do të jetë prioriteti kryesor i tij. Ai ka sqaruar se planprogrami i tij për qeverisjen e Komunës përmban edhe projekte konkrete për përmirësimin e infrastrukturës brenda hapësirave shëndetësore, do të ketë rinovime, blerje të pajisjeve të nevojshme, pastaj do ta ndërtojë nga një qendër të mjekësisë familjare në Koshare, Prelez. “Do ta rregullojmë edhe statusin e punëtorëve të ‘Caritasit’, sepse ata aktualisht nuk janë të barabartë me punëtorët e tjerë shëndetësorë, derisa pagat i marrin çdo 3-4 muaj. Do ta rrisim edhe numrin e stafit mjekësor, sidomos gjatë verës. Sa i përket ndërtimit të spitalit nuk do ta ndërrojmë lokacionin, por do të kalojë nëpërmjet këshilltarëve të KK-së me shumicë të votave”, ka thënë Rexhepi. Ai ka përzgjedhur edhe sektorin e arsimit me qëllim që të bëjë përmirësime duke i fuqizuar shkollat profesionale. “Do të ndërtojmë raporte të mira me biznese të ndryshme, në mënyrë që nxënësve t’u mundësohet puna praktike sipas standardeve evropiane. Pastaj do ta kthejmë shpresën e të rinjve të diplomuar, sepse në arsim punësohen vetëm militantë të partisë në pushtet”, ka thënë ai./Koha.net

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vëmendje: Ata që nuk regjistrohen do të gjobiten nga shteti

Ligji Nr. 08/L-114 për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, në nenin 23 parasheh sanksione kundërvajtëse me GJOBË...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img