Një ditë pas katastrofës natyrale që e goditi rajonin e Shkupit, ku u regjistruan të reshura të shiut prej 33 litrave për metër katrorë, dhe ku u shënuan më shumë se 800 goditje të rrufeve, gjendja duket të jetë larg normales, njofton SHENJA.
Mbrëmë Televizioni SHENJA njoftoi për të paktën një viktimë nga të reshurat e rrëmbyeshme, ndërsa dëme të mëdha janë shkaktuar kryesisht në lagjen Hasanbeg, në fshatrat Haraçinë dhe Straçincë, por edhe në komunën e Çairit. Në lagjen Hasanbeg, ujërat e ardhura kanë vërshuar tërë lagjen, duke mbushur katet përdhes të shtëpive.
Qyteti i Shkupit ka formuar një Shtab Emergjent, ndërsa Presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, thirri ushtrinë për të ndihmuar në evakuimin e banorëve nga lagjet më të prekura.
Për sot, sinoptikët sërish thonë se do të ketë reshje të shiut, të cilat do të jenë më intensive në rajonin e Shkupit dhe në pjesën perëndimore të Maqedonisë.
.