Katër konvikte të Qendrës së Studentëve janë duke u përgatitur në rast se ka nevojë që të lëshohen si karantina për rastet e konfirmuara me Koronavirus. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar burime të Kohës.
“Konviktet 8,7, 6 dhe 3 janë duke u përgatitur për karantina, sepse këto i kanë banjot brenda dhomave”, ka thënë ky burim.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta ka deklaruar se deri tash nuk ka ndonjë vendim zyrtar për t’i lëshuar këto konvikte megjithëse e ka pranuar se janë pyetur për kapacitetet që i kanë në këtë qendër.
“Unë nuk kam asgjë të konfirmuar zyrtarisht, asnjë urdhëresë apo vendim zyrtar. Na kanë pyetur për kapacitete por decidivisht për këtë nuk na është thënë diçka. Konviktet janë të gatshme, janë pastruar, dezinfektuar, sikurse kur vijnë studentët së pari herë. Çdo njëri konvikt mundet me u lëshuar dhe me hi në funksion”, ka thënë ai.
Mensa e studentëve është mbyllur me 12 mars, kurse konviktet me 13 mars dhe sipas vendimit të Qeverisë nuk do të hapen deri më datën 27 të këtij muaji. Ky vendim i mor javën e kaluar në kuadër të 11 masave parandaluese për Koronavirus.