Gjykata Themelore në Prishtinë sot nuk shpalli vendimin për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët akuzohen se kanë sulmuar fizikisht në oborrin e Kuvendit të Kosovës, deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiun.
Gjykata madje mori vendim për rihapje të shqyrtimit gjyqësor pasi që siç tha gjykatësi Vesel Ismajli, janë vërejtur disa paqartësi tek raporti i mjekësisë ligjore, i cili nuk përputhet me raportin e emergjencës, ndaj të dëmtuarit Bekim Haxhiu.
I kontakuar nga Telegrafi, deputeti Bekim Haxhiu i njohur si Kamishi nuk ka dashur të komentojë lidhur me këtë.
“Nuk komentoj asgjë deri në vendim të gjykatës”, ka thënë shkurt Haxhiu.
Në seancën e sotme munguan të akuzuarit, Rexhep Selimi, Visar Ymeri, Florin Krasniqi dhe Besart Bujupi.
Për mos pjesëmarrjen e tij në seancë, deputeti i VV-së, Rexhep Selimi ka thënë për Telegrafin se pjesëmarrja nuk ka qenë e obligueshme.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 20 prill, në të cilën pritet që të dëgjohet eksperti ligjor, Arsim Gërxhaliu.