Përgjegjësia për dy rastet tragjike, vdekja e Xhenetës tre vjeçare në Prizren dhe vdekja e Florentës dhe Florent Mramorit, bie mbi prokurorinë e shtetit, e cila sipas drejtorit të INPO-s, Arbër Kadriu, duhet të japë përgjigje për dy tragjeditë.
Ai foli gjithashtu edhe për zbehjen e besimit qytetar te institucionet, transmeton Koha.net.
“Momenti që qytetarët adresojnë ankesa në institucionet vendimmarrëse dhe ato nuk merren parasysh, atëherë edhe besimi qytetar zbehet”, ka thënë Kadriu në “Rubikon” të KTV-së.
Vetëm një moment i reagimit vlerësohet, sipas Hajrullah Çekut nga “Ec ma ndryshe”, të jetë protesta e organizuar në qytetin e Prizrenit për degradimin e Qendrës Historike të Prizrenit, gjegjësisht shembjes së shtëpisë ku humbi jetën Xheneta 3-vjeçare.
“Duke parë aktivizimin e qytetarëve për ngritje dhe pjesëmarrje në protesta shihet se ekziston një gatishmëri e qytetarëve dhe shoqërisë civile për reagim ndaj të keqes. Kërkesa jonë është dorëheqja”, ka thënë Çeku, transmeton Koha.net.
Trashëgimia kulturore në kod penal cilësohet si shkelje e rëndë, sipas Çekut, dhe për këtë arsye ata insistojnë për përgjegjësi penale.