Ferizaj, 15 Shtator 2016 – Në kuadër Programit për Edukim Demokratik, Organizata Jo-Qeveritare “Iniciativa për Progres INPO”, të enjten ka realizuar një performancë para objektit të Kuvendit Komunal të Ferizajt, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.
Me këtë performancë, INPO synon të nxjerrë në pah mungesën e transparencës dhe bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe qytetarëve. Aktualisht, Komuna nuk ofron mundësi që të rinjtë t’i qasen tregut të punës, ngase aty funksionojnë lidhjet nepotiste. Kjo tregon mungesën e demokracisë në funksionimin e institucioneve publike të Komunës së Ferizajt.
INPO fton institucionet publike, posaçërisht ekzekutivin dhe legjislativin e Komunës së Ferizajt që të krijojnë mundësi konkurrimi dhe punësimi të barabarta për të gjithë, konform ligjeve aktuale në fuqi.
Shoqëria kosovare ka nevojë në promovimin e mundësive të barabarta, në mënyrë që secili të mund të kontribuojë, por jo të përballet me barriera të krijuara nga institucionet.
INPO ka për mision që të promovoj demokratizimin e qeverisjes lokale përmes aktivizmit qytetar dhe përkushtohet në avancimin e vlerave të një shoqërie të hapur. Organizata INPO si bazë të funksionimit të saj ka monitorimin e performancës së Komunës dhe Kuvendit Komunal të Komunës së Ferizajt dhe të Prishtinës.