17,11,2024

Infektologët kosovarë apelojnë: Shteti ta shtojë kujdesin rreth coronavirusit

Must Read

Së paku 54 persona kanë vdekur dhe rreth dy mijë të tjerë janë infektuar deri më tash në Kinë nga virusi corona. Kjo superfuqi botërore tashmë ka ashpërsuar masat e kontrollit duke përdorur edhe ushtrinë. Por krahas Kinës edhe shumë shtete të tjera nga i gjithë globi janë mobilizuar për ta mbajtur nën kontroll këtë virus. Por sa është Kosova gati që t’i dal në ballë si dhe çfarë kanë bërë institucionet e shtetit për ta parandaluar ardhjen e këtij virusi misterioz në vend?. Detaje për coronën ka dhënë të dielën për Express infektologu kosovar, doktor Sali Ahmeti.

Institucionet shëndetësore kosovare janë vënë në gjendje gatishmërie rreth virusit misterioz i cili me shpejtësi të madhe ka nisur që të përhapet në disa prej shteteve më të mëdha në botë.

Në Kinë nga virusi corona tashmë kanë vdekur 54 persona si dhe 2 mijë të tjerë janë infektuar. Por janë mijëra persona të tjerë që janë izoluar duke e shmangur kështu çfarëdo kontakti me të prekurit. Ndërkohë të prekurit e parë nga corona tashmë janë paraqitur në Australi si dhe Kanadë.

Por edhe Kosova si thuajse çdo shtet i Ballkanit dhe i Evropës është mobilizuar me masat e para për parandalimin e përhapjes së coronës në vend.

Nga janari i këtij viti, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është duke e monitoruar situatën. Megjithëkëtë, drejtori i IKSHP’së, Naser Ramadani, thotë se Kosova është e rrezikuar njësoj si nga shtetet e tjera.

“Masat që duhet të ndërmerren fatmirësisht në këtë rast janë të ngjashme me masat që ndërmerren kundër gripit dhe gjitha sëmundjeve respiratore që përhapen me shpejtësi. Dhe në këtë kontekst edhe Kosova është e rrezikuar njësoj sikurse edhe shtetet e tjera. Për këtë arsye IKShP prej 31 dhjetorit tashmë është në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare të cilat përcjellin çdo rast”, është shprehur Ramadani.

Të përgatitur për marrjen e masave të shpejta për këtë virus misterioz janë edhe infektologët kosovarë. Doktori i QKUK’së, Sali Ahmeti në një bisedë për Express ka dhënë detaje rreth këtij virusi.

“Ky është një virus i ri, i cili fatmirësisht ende nuk ka ardhë në Kosovë. I përket familjes së koronavirusit. Këto si familje janë të njoftuar edhe më herët, por ky është një tip i ri i cili u shfaq në Kinë”, ka sqaruar  infektologu kosovar.

Ai ka thënë po ashtu detaje se cilat janë simptomat e para të prekjes nga virusi corona.

“Është një virus i cili  fillon si një grip por ka predispozita me dhanë reaksione të shpejta të cilat mund të rrezikojnë jetën e personit të prekur. Fatbardhësisht tek ne ende nuk është shtrirë. Por mos të harrojmë se globalizimi ka krijuar gjasa të mëdha për përhapjen e shpejtë të virusit. Ne lusim që mos të vije tek ne”, thotë ai.

Ahmeti tutje thotë se çdo person i cili vjen në Kosovë nga vendet të cilit mund të jenë prekur me coronë, duhet t’u bëhen analizat e detajuara.

“Mirëpo si mundësi ekziston sepse ka njerëz tanë që udhëtojnë edhe në Kinë edhe në vendet e tjera të Azisë që janë  prekur me këtë virus. Sidoqoftë ne si infektolog, po ashtu edhe Instituti Kombëtarë jemi të mobilizuar dhe po i përcjellim zhvillimet e këtij virusi nëpër botë. Në rast të shfaqjes eventuale të ndonjë rasti, unë besojë që jemi të përgatitur me u përballë edhe më këtë”, thotë Ahmeti.

Infektologu i QKUK’së, tutje tregon edhe për masat mbrojtëse që ka marrë Kosova për parandalimin e përhapjes së këtij virusi në vend.

“Virusi fillimisht prej shtazëve tek njerëzit përhapet. Por tash ka gjasa se po përhapet nga njeriu në njeri. Sot ne kem një komunikim të hapur me botën, dhe kjo nuk mund të përjashtohet si mundësi e përhapjes”, sqaron tutje Ahmeti.

Megjithëkëtë ai thotë se duhet pasur kujdes të shtuar.

“Ne i kemi marrë masat mbrojtëse. Unë mendojë që duhet me pas kujdes me personat që vijnë nga vendet endemike. Duhet kontrolle të shtuara nëpër aeroporte, që të ekzaminohen personat që vijnë nga vendet e huaja. Të shtohet kujdesi në aeroporte, pika kufitare, udhëtimet e ndryshme me autobus nga shteti në shtet”, apelon mjeku i QKUK’së.

Ani pse ka një distancë të madhe gjeografike, në Kosovë po kërkohet vigjilencë për rastet e mundshme të prekura me këtë virus.

Është instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë që rekomandon kujdes të shtuar nga të gjitha institucionet përkatëse për ndonjë rast të mundshëm të këtij virusi në vend.

Mbikëqyrja përfshin edhe angazhimin e një ekipi mjekësor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili ka detyrë të raportojë në rast se shfaqen persona të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.

Disa nga masat e parandalimit përfshijnë shmangien e kontaktit të ngushtë me personat që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes, larja e shpeshtë e duarve, e veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre./GazetaExpress/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img