Falja e kryesore e Fitër Bajramit në shtetin shqiptar, që u mbajt në sheshin e Tiranës, u drejtua nga Sheikh Saleh Al Talib, një nga imamët e xhamisë më të shenjtë islame, xhamisë në Mekke. Saleh Al Talib u ftua nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSh). Por kush është ai në fakt?
Të dhënat për këtë imam të “Qabes” janë të pakta, por fjalimet e tij e nxjerrin si një imam i xhihadit.
Ai është njëri nga imamët që në mënyrën më të drejtpërdrejtë e ka përkrahur luftën e regjimit saudit në Jemen, që si rezultat ka mijëra civilë të pa fajshëm të vrarë në mënyrë brutale prej bombardimeve.
“Operacioni për ta shpëtuar Jemenin është luftë xhihad”, ka thënë Saleh Al Talib që ditët kur Arabia Saudite e sektit “sunnij” nisi sulmet kundër rebelëve në Jemen të sektit islam “shiit”.
Për këtë luftë, që imami saudit e fali Bajramin në Tiranë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon kishte paralajmëruar qartë se përdorimi i bombave nga koalicioni arab i drejtuar nga Saudia për të bombarduar një Jemen “mund të përbëjë krime lufte”, raportonte Al-Jazeera.
Ky imam njihet edhe si përkrahës i xhihadit të përgjithshëm të myslimaneve në botë si dhe një anti-semit, raporton Express.
Sheiku Saleh al-Taleb, në vitin 2004 duke mbajtur një ligjëratë para më shumë se 500 mijë njerëzve në Xhaminë e Madhe të Mekës gjatë haxhit vjetor citohet ta ketë bërë edhe këtë lutje:
“O Zot, jepu fitore të gjithë muxhahedinëve kudo që janë. Jepu atyre fitoren në Palestinë. O Zot, bëje që myslimanet të triumfojnë dhe të shkatërrojnë armiqtë e tyre, dhe të bëjë këtë vend dhe vende të tjera myslimane të sigurt. O Zot, zbraze zemërimin tënd mbi krimet e sionistëve”
Edhe një nga aktivistët kontrovers islamik në internet Olsi Jazexhi e ka quajtur Sheikh Saleh Al-si imam xhihadist. Ai madje një ditë para Bajramit bëri thirrje që të braktiset ai.
“Unë po të isha bektashi, sufi, dhe i ndonjë tarikati tjetër nesër do refuzoja të falja Bajramin pas këtij tekfiri dhe do i çoja notë proteste ministrisë së jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë për lejimin e tij në vend. Atij i është refuzuar viza për në Indi me parë”, kishte shkruar Jazexhie.
Por, për ardhjen e tij është ekzaltuar imami kontrovers shqiptar, Ahmed Kalaja, duke e konsiderua prurjen e tij në Shqipëri nga KMSh’ja si veprim “sipas porosive profetike”.
Ky imam në prononcime për mediat arabe kohë më parë ka thënë që nuk i pëlqen që të ndajë të dhëna për jetën e tij private, shkruan gazeta express.
Ajo që dihet deri tash për të është që Shejh Saleh Al Talib, ka lindur në Riad, Arabia Saudite në vitin 1974 ku edhe mori arsimimin fillestar. Ai u diplomua nga Universitetin e Riadit. Më vonë ai mori një diplomë master në jurisprudencën krahasuese islame.
Ai gjithashtu ka një diplomë master në të Drejtën Ndërkombëtare nga George Town, Uashington DC, të SHBA-ve.
Saleh Al Talib përveç që është një nga imamët e Qabës, ku ishte emëruar në vitin 2003, është edhe një gjyqtar në Gjykatën e Lartë të Mekës.
Ai përhapë rrymën wahabiste që në fakt është edhe “feja zyrtare” e Arabisë Saudite ka statistika të vjetra të publikuara nga mediat perendimore flasin që një masë prej së paku 20 % e popullatës në Arabinë Saudite vetë-deklarohen si “wahabistë”, derisa pjesa tjetër preferojnë të quhen “salafistë”, raporton Express.
Minoriteti “shiit” në këtë shtet është i shtypur brutalisht, dhe vitin që shkoi ishin ekzekutuar disa nga imamët kryesor të këtij sekti, qendra e të cilit është në Iran- rivali kryesor i Saudisë për dominim gjeo-politik në rajon.
Luftën ndaj shiitëve që Saleh Al Talib e konsideron xhihad njëjta e konsideron edhe Shteti Islamik (ISIS) i cili që nga krijimi i tij vite më parë kishte pasur në cak këtë sekt të islamit.
Rryma politike e wahabistëve dhe ISIS ndajnë edhe shumë gjëra tjera të përbashkëta, siç është gurëzimi, dënimi me vdekje me preje kokës, prerja e duarve për vjedhësit, gjymtimi seksual i femrave dhe konsideromi i tyre si pronë për shit-blerje, shkruan Express.
Arabia Saudite është akuzuar në vazhdimësi si mbështetësja më e madhe financiare e terrorizmit islamik në botë.
Së fundi ishte prestigjiozja “The New York Times” që ka bërë një seri shkrimesh që akuzojnë rëndë mbretërinë e saudëve për financim terrorizmi dhe shndërrimin e vendeve me islam tolerantë në fusha pjellore për terroristë, siç është rasti i Kosovës.
.