Zëvendës Ministri për Integrime Evropiane Ramadan Ilazi këtë të marte ishte në vizitë në veri të Mitrovicës. Me këtë rast ai ka folur me të rinjtë e komunitetit serb për Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim (MSA) dhe liberalizimin e vizave. “Integrimi Evropian i Republikës së Kosovës sjell të mira për të gjithë qytetarët e vendit. Në veri të Mitrovicës kam diskutuar me të rinjë nga komuniteti serb për Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim (MSA) dhe liberalizimin e vizave si një proces të cilat kanë konfirmuar se e ardhmja e shtetit të Kosovës është në Bashkimin Evropian. Fokusi ynë tani duhet të jetë në zbatimin e MSA-së dhe reformave Evropiane sidomos në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, që përfshinë edhe shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në tërë territorin e vendit. Ky diskutim është mbajtur në kuadër të Shkollës për Integrim Evropiane të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur KFOS/SOROS, OJQ-Aktiv dhe Lëvizja Evropiane Serbe” ka thënë Ilazi para këtyre të rinjve.