19,05,2024

I dorëhequr vullnetarisht, ish-polici kërkon të kthehet në të njëjtin vend të punës

Must Read

Gjyqtari Malsor Kryeziu ka refuzuar propozimin e të paditurës për administrim të provave, prova këto të cilat nuk kanë arritur në Gjykatë.

Si arsye e kërkesës për shtyrjen e seancës nga e paditura këtu me autorizim Nexhmie Karaqi, ishte mosarritja e shkresave të lëndës (provave) në Gjykatë.

I autorizuari i paditësit Arjanit Avdiu, avokati Florin Lata deklaroi se mbetet pranë padisë së parashtruar në nëntor të vitit 2017.

Kjo padi është parashtruar ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, duke kërkuar rikthimin në pozitën e njëjtë në Drejtorinë Regjionale të Policisë-Gjakovë.

Avokati Florin Lata si i autorizuar i paditësit kërkoi anulimin e vendimit të Policisë së Kosovës mbi kërkesën për ripunësim si të kundërligjshme.

Paditësi, po ashtu kërkon nga e paditura, Policia e Kosovës, që paditësit t’ia paguajë të gjitha shpenzimet e procedurës kontestimore.

Ndërsa e autorizuara e të paditurës Nexhmie Karaqi, avokate shtetërore, deklaroi se e kundërshton në tërësi padinë dhe kërkesën e saj si të pabazuar në ligj.

“Sepse duke u bazuar në udhëzimin administrativ ku janë të përcaktuara kriteret për ripunësim dhe rikthim, e sipas të njëjtës afati kohor ka qenë deri në 2 vite, ndërsa këtu paditësi nuk e ka respektuar afatin kohor prej 2 viteve, do të thotë  paditësi ka bërë shkelje të këtyre kritereve të nenit 90 pika 2, të Udhëzimit Administrativ mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës”, deklaroi e autorizuara e të paditurës Nexhmie Karaqi.

E autorizuara e të paditurës, kërkoi nga Gjykata që padinë dhe kërkesën e saj  të paraqitur nga paditësi ta refuzojë si të pabazuar.

Palët ndërgjyqësore fjalën e tyre përfundimtare do ta paraqesin me shkrim në afat prej 7 ditësh.

Sipas padisë,  Arjanit Avdiu është punësuar në Policinë e Kosovës më datë 1 gusht 2005. I njëjti ka qenë në pozitën polic patrullues në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë. Në maj të vitit 2013 ka dhënë dorëheqje vullnetare për arsye personale.

Në padi thuhet se më 27 tetor 2017, paditësi Arjanit Avdiu parashtron kërkesë për ripunësim tek e paditura, ku e njëjta kërkesë refuzohet me arsyetimin se është paraqitur pas kalimit të afatit 2 vjeçar.

Paditësi në padi kërkon edhe anulimin e vendimit të Policisë së Kosovës mbi kërkesën për ripunësim si të kundërligjshme.

Përmes kësaj padie, paditësi kërkon që të obligohet e paditura –  Policia e Kosovës që paditësin Arjanit Avdiu ta kthejë në pozitën e njëjtë në Drejtorinë Regjionale të Policisë-Gjakovë si dhe t’ia paguajë shpenzimet e procedurës kontestimore.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjobë ndaj personit që bëri tejkalim në vijë të plotë, identifikohet kundërvajtja përmes dronit të policisë

Policia Rajonale e Komunakacionit Rrugor me datën 18.05.2024 rreth orës 16:35, në rrugën magjistrale Ferizaj-Viti, skatësisht në fshatin Gërlicë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img