Republika e Kosovës ka rreth 436 kilometra hekurudhë, prej të cilave 333 kilometra janë civile dhe 103 kilometra janë industriale.
Linja e parë hekurudhore në Kosovë ishte ndërtuar më 1874, me vendim të autoriteteve osmane.
Ajo ishte pjesë e linjës hekurudhore që lidhte Selanikun me Beogradin, e cila kalonte nëpër Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Prishtinë dhe Mitrovicë.
Por përveç këtyre linjave hekurudhore, dikur në Kosovë ka pasur edhe një linjë hekurudhore për të cilën pak kush din sot. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, autoritet naziste kishin ndërtuar një linjë hekurudhore që lidhte Kaçanikun me Vërbeshticën. Ajo ishte e gjatë 32 kilometra dhe kishte sistem binarësh të ngushtë.
Përmes kësaj hekurudhe ushtria naziste bartte krom nga Vërbeshtica në Kaçanik dhe prej andej e çonte në fabrikat e industrisë gjermane të armatimit. Kjo linjë hekurudhore ka vazhduar të përdorej edhe rreth 10 vjet pas përfundimit të luftës, para se të defunksionalizohej nga autoritetet jugosllave.
Për historinë e kësaj hekurudhe dhe për shumë histori të tjera interesante që lidhen me hekurudhat e Kosovës, mund të njiheni nga një edicion i emisionit COSMO të KTV-së, për hekurudhat e Kosovës.
“Kosova nëpër binarë”, me historinë e hekurudhës së nazistëve për krom, historinë e makinistit të Tito-s dhe histori të tjera mund të shikohet e plotë më poshtë në kronikën e përgatitur nga KTV.