Ferizaj.04.05.2017. Lideri i AAK-së ,ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, këtë të enjte në Ferizaj ka zhvilluar një takim me qytetarë të Ferizajt, anëtar dhe simpatizant të AAK-së.
Me këtë rast Haradinaj ka falënderuar të gjithë qytetarët për përkrahjen që përmes formave të ndryshme i dhanë përkrahje gjatë kohës sa ishte i ndaluar nga shteti i Francës.
“Ne si popull gjatë historisë u përballëm me sfida të shumta ku asnjëherë nuk sulmuam e as nuk bëmë kurrë presion por përkundrazi u përballëm me presione nga më të ndryshmet deri në gjenocid. Dora e regjimit serb vrau dhe kreu shumë krime por duhet ta dinë të gjithë se nëse ajo vazhdon të hyj mes nesh nuk do ta lejojmë. Ne jemi të interesuar për paqe si askush tjetër edhe pse ende nuk i kemi të shëruara plagët e luftërave dhe reprezaljeve të kaluara” tha Haradinaj.
Por Haradinaj kritikoi edhe qeverinë aktuale se tani edhe kjo po e lodhë popullin dhe nuk po merret me hallet e popullit, nuk po punon në rritjen e mirëqenies se këtij populli.
“Mënyra qysh po qeverisin dhe qysh po e bëjmë shtetin për fat të keq s’kemi me pas nevojë për armiq të jashtëm sepse vet po e shkatërrojmë vendin dhe interesat tona.Kjo nuk është kritik drejtuar dikujt por një alarm se deri kur do të vazhdohet kështu. Ne nuk kemi hequr dorë e as nuk jemi dorëzuar.Një detyrë e kemi që armiqtë të mos i lëmë më të na përzihen në tokën tonë por edhe një detyrë tjetër që ti ndalim tanët mos të punojnë keq dhe në dëm të popullit tonë” ka thënë Haradinaj.
Në anën tjetër kryetari i degës së AAK-së dega në Ferizaj Xhavit Zariqi ka përshëndetur liderin Haradinaj për vizitën në Ferizaj dhe ka falënderuar të gjithë ata që erdhën në këtë takim ti japin edhe njëherë përkrahje Haradinajt.
“Edhe njëherë u vërtetua pastërtia e gjeneralit të UÇK-së, Ishte fuqia e juaj që shtyri në lëvizje institucionet e Francës dhe drejtësia edhe njëherë e tha fjalën e vet se Haradinaj ishte i përkushtuar për Lirinë e Kosovë, Lirinë e trojeve shqiptare e jo për gjenocid ndaj askujt tjetër. Kjo nënkupton se Haradinaj është vërtet meritor për Lirinë e Kosovë” ka thënë Zariqi.
Ai me këtë rast tha se qytetarët janë ata të cilët do të sjellin ndryshimin dhe formimin e Institucioneve të qëndrueshme, për një shëndetësi , arsim më të mirë dhe një jetë më të mirë të shqiptarëve në trojet e veta.