Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, z. Agron Bajraktari ka pritur në takim drejtoreshën e Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit Teknik të Rigës (Letoni), znj. Liene Maurite, me të cilën ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit mes dy universiteteve.
Znj. Maurite e ka informuar rektorin Bajraktari për programet studimore që ofron Universiteti i Rigës dhe për mënyrat e bashkëpunimit me universitete tjera simotra në Evropë e më gjerë, të cilat ofrojnë programe të përafërta me këtë universitet.
Drejtoresha Maurite ka theksuar se Universiteti Teknik i Rigës është i hapur për bashkëpunime të reja, ndërsa ka përmendur të mirat që sjellë bashkëpunimi ndërkombëtarë për të gjitha palët, duke përfituar nga përvoja dhe mundësitë që ofrojnë universitetet e ndryshme.
Ndërsa, rektori i USHAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari e informoi znj. Maurite për punën që po bëhet në universitetin më të ri publik në Kosovë dhe të vetmin që ofron programe të shkencave të aplikuara.
Rektori Bajraktari tha se, Universiteti është duke u zgjeruar dhe duke bërë përpjekje maksimale që të përmirësojë edhe më tutje infrastrukturën, në mënyrë që të ofrojë hapësirë për studime edhe për të interesuarit nga vendet përreth e më gjerë.
Ndërsa, duke folur për bashkëpunimin me institucione të tjera vendore dhe ndërkombëtare, rektori Bajraktari përmendi disa marrëveshje me universitete jashtë Kosovës dhe theksoi se UShAF-it i duhet përkrahja dhe bashkëpunimi me universitete që tashmë kanë një traditë të ofrimit të studimeve në këto fusha.
“Universiteti Teknik i Rigës është një universitet i fuqishëm dhe ne jemi shumë të interesuar që të marrim nga përvoja juaj, e cila do të na shërbente në zhvillimin e universitetit tonë, por besoj se edhe Universiteti juaj do të mund të përfitojë nga mësimdhënësit dhe studentët tanë që janë shumë të përgatitur”, tha Rektori.
Gjatë takimit, ndër të tjera u fol për mundësinë e konkretizimit të bashkëpunimit përmes nënshkrimit të një Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila do të mundësonte edhe aplikimin e përbashkët në fondet ndërkombëtare për arsim të lartë dhe shkencë.
Znj. Liene Maurite ka punuar për tri vite në Kosovë dhe është hera e gjashtë që po qëndron në vendin tonë, prandaj shprehu kënaqësinë e saj me zhvillimin që ka parë vit pas viti.
Universiteti i Teknik i Rigës është universiteti më i vjetër teknik në vendet baltike, i themeluar në vitin 1862.