28,03,2024

Gurthyeset e pakontrolluara kërcënojnë malin e Tomorrit

Must Read

I parë nga larg, me majën e tij të mbuluar nga dëbora të cilin poeti Andon Zako Çajupi e quante ‘kishë të Shqipërisë dhe fron të perëndisë,’ mali i Tomorrit ngjan madhështor dhe i bukur si një kartolinë. Por po të afohesh pak më afër zbulon se është i tharë dhe i mbushur me zgavra që duket sikur i shkojnë deri në palcë.

Buldozer dhe eskavator të fuqishëm e gërryejnë me pash çdo ditë ndërsa qindra punëtorë, ditë-natë, nxjerrin  pllaka guri për t’i ngarkuar në makina që lënë pas re të trasha pluhuri.

I shpallur katër vit më parë si zonë e mbrojtur, mali i Tomorrit ngjan më shumë me një gurore të stërmadhe, për të cilën aktivistët mjedisorë shprehen se përbën një nga masakrat më të mëdha ekologjike të ndodhura ndonjëherë në Shqipëri.

Në dy anët e rrugës që çon në mal janë depozituar tonelata të tëra gurësh, mjete të fuqishme që gërryejnë malin, punëtor që nga guri sigurojnë mbijetesën, si dhe makina të mëdha që lëvizin pa pushim në drejtim të qytetit të Poliçanit.

Dhjetëra kompani që operojnë në biznesin e nxjerrjes së pllakave të gurit punojnë në këtë zonë, edhe pse një listë e saktë e operatorëve është e vështirë të gjendet për shkak të nivelit të lartë të informalitetit.

Kreu i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve Ergys Agasi, pranon që shpesh kompanitë që operojnë guroret kanë dështuar të respektojnë lejet mjedisore me të cilat ato janë licencuar, por ai nënvizon që numri i kompanive që operaojnë totalisht pa licencë është minimizuar.

“Ne jemi në dijeni që  situata në Malin e Tomorrit është problematike ndaj dhe unë kam urdhëruar që të gjithë kompanitë atje të riaplikojnë për leje të re mjedisore, si kusht të vetëm për ushtrimin e aktivitetit të tyre,” Agasi i tha BIRN.

Jashtë kontrollit

tomorr

Sapo hyn në qytetin e Poliçanit, një tabelë e madhe njofton vizitorët se mali i Tomorrit është shpallur park kombëtar dhe mbrohet nga shteti.

Një vendim i Këshillit të Ministrave me nr 472, i marrë datë 18 korrik 2012 e shpall ekosistemin natyror të malit të Tomorrit zonë të mbrojtur në një sipërfaqe prej 24,7 mijë hektar. Sipas VKM-së të miratuar nga qeveria e qendres së djathtë e ish-kryeministrit Sali Berisha kjo sipërfaqe përfshin komunat Roshnik, Vërtop, Bogovë, Gjerbës, Zhepë dhe Kushovë.

Në vitin 2014 qeveria ka miratuar një plan menaxhimi për parkun kombëtar të Tomorrit. Plani e përcakton biznesin e nxjerrjes së rasave të gurit si një kërcënim real që po i bëhet habitateve natyrore dhe veçorive gjeologjike të zonës.

“Është e domosdoshme mbyllja e guroreve  të paligjshme (palicencuara), gërmimeve brenda zonës së parkut,” thuhet në dokumetin 150-faqësh.

Por megjithatë, sapo i ngjitesh malit përpara syve shfaqen sipërfaqe të tëra të shkatërruara, makineri të rënda që gërryejnë skarpatet, dhe punëtorë që me leva nxjerrin nga toka pllakat e gurit.

Zyrtarisht askush nuk e di se sa të punësuar ka në bizneset e nxjerrjes së gurit në malin e Tomorrit, por megjithatë vendasit e rrumbullakosin numrin e tyre në rreth 150 syresh. Kur qasen, punëtorët nuk pranojnë të identifikohen më emër pasi thonë se mund të humbin vendin e punës. Punojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje për një rrogë mujore që nuk i kalon 40 mijë lekë në muaj.

Rruga nacionale nga Poliçani deri në fshatin Novaj, në një gjatësi rreth 7 kilometra, është e mbipopulluar nga punishtet e përpunimit të gurit. Në kushtet e konfidencialitetit përfaqësues të këtij sektori i thanë BIRN se janë 15 kompani që merren me nxjerrjen dhe përpunimin e pllakave të gurit. Çdo njëra prej tyre nxjerr nga 30 deri në 50 mijë metër kub gurë, i cili i përpunuar tregtohet me një çmim prej 30 eurosh për metër kumb, i destinuar kryesisht për tregun e huaj.

Në Bashkinë e qytetit të Poliçanit nuk e dinë me saktësi së sa është numri i kompanive të licencuara, pasi përgjegjësia administrative për malin e Tomorrit është e paqartë. Për shak të ndarjes së re administravive, bashkia Poliçan është në një betejë burokratike më bashkinë Skarapar, e duket se deri në verdiktin përfundimtar askush nuk mban përgjegjësi për çfarë ndodh në zonë e mbrojtur.

“Ne nuk e dimë sa kompani ushtrojnë aktivitet në malin e Tomorrit pasi zona nuk administrohet nga ne,” thotë Anxhela Ibro – drejtoresha e mërdhënieve me publikun në bashkinë Poliçan.

Sipas dokumentave të siguruara nga BIRN janë 19 kompani që janë licencuar për të ushtruar aktivitetin të nxjerrjes dhe përpunim të pllakave të gurit në malin e Tomorrit. Nuk është e qartë sa nga këto kompani operojnë në zonën e mbrojtur mjedisore.

Administratori Rajonal i Zonave të Mbrojtura në Berat, Fatos Nako, i tha BIRN që institucioni që ai drejton e ka të pamundur të monitorojë aktivitetin e këtyre kompanive.

“Nga informacionet tona vetëm 7 hektarë na rezulton se është dëmtuar nga ky biznes, por realisht ne nuk kemi informacion se si është gjëndja reale pasi dhe mundësitë tona për të kontrolluar terrenin që është shumë i vështitë, janë tejet të kufizura,” tha Nako.

Mospasjen kontroll të plotë të zonës e pranon edhe kryeinspektor i Mjedisit dhe Pyjeve, Ergys Agasi, i cili shprehet se insitucioni që ai drejton dhe ka për detyrë kontrollin e aktiviteti të kompanive private që kanë ndikim në mjedis ka një numër të kufizuar punonjësish.

“Aktualusht, në bazë të dokumentacioneve, vetëm 8 kompani  po ushtrojnë aktivitetin e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit, ndërkohë që duhet thënë se deri më tani të gjitha kompanitë kanë qenë të licencuara për ushtrimin e këtij aktiviteti,” ai tha.

Sipas Agasit ligji i vjetër i mjedist kishte penalitete shumë të ulta për moszbatim të rregullave të vendosura në lejet mjedisore duke i shtyrë kompanitë t’i shpërfillinin ato.

“Nga kontrollet që ne kemi ushtruar këto kampani janë në rregull me të gjithë dokumetacionin, dhe pse asnjëra prej tyre, pasi kanë ndryshuar vënd-gërmimin, nuk ka bërë rehabilitimin e zonës,” u shpreh ai.

Kryeinspektori shprehet se të gjitha kompanitë që nuk e kanë rehabilituar vend-gërmimin, kanë paguar në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore vlerën prej 2,5 milion lekësh që parashikohet si penalitet.

“Në këto kushte, inspektorët tanë edhe kur konstojnë dëme nuk janë në gjëndje të veprojë,” tha ai.  “Për ketë arsye unë kam kërkuar të gjitha kompanitë të pajisen me leje të re mjedisore, pasi ligji i ri parashikon shumë më shumë detyrime.” Agasi shtoi.

Guroret e ‘mermerit’

tomor

Guroret e ‘mermerit’ konsiderohen si minierat e arit të malit të Tomorrit. Një metër kub nga ky gur i bardhë, që vendasit e quajnë mermer, tregotohet me 500 euro. Një kompani nxjerr nga mali mesatarisht 4500 metra kub gurë të bardhë në vit.

Që të arrish vendodhjen e këtyre guroreve duhet të lësh pas qytetin e Çorovodës, t’i biesh mes përmes grykës së Dërvenit dhe të udhëtosh për 10 kilometra në një rrugë që gjarpëron në shpatet e Tomorrit. Vendburimi quhet Mëlovë. Masa të mëdha guri të bardhë, qëndrojnë stoqe anëve të rrugës në pritje të blerësit të radhës.

Përgjegjësi i sektorit të të ardhurave në bashkinë e Skraparit Sabri Alimadhi, i tha BIRN se nga pesë kompanitë e licencuara për nxjerrjen e mermerit në vendburimin Mëlovë vetëm dy prej tyre ushtrojnë aktivitet. Në terren realiteti është krejt ndryshe.

Nexhip Xhaja, administratori i kompanisë Stone Prodution, i tha BIRN që duke përfshirë kompaninë e tij vendburimi shfrytëzohet nga katër kompani, të cilat blloqet e mëdha prej guri të nxjerrë nga mali i kanë depozituar në anë të rrugës për t’i tregtuar ato.

Impakti i guroreve në mjedis është gjëja e fundit që i shkon ndërmend Xhajes kur diskuton për biznesin e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit. Shqetësimi i tij kryesor është niveli i lartë i rentës minerare por dhe informaliteti në këtë sektor.

Kryinspektori i mjedist Agasi nuk e përjashton mundësinë që mund të ketë aktivitet të palicencuar në vendburimin e Mëlovës.

“Puna e parë që ne kemi bërë është marrja e dokumentacionit të plotë për të gjitha kompanitë që veprojnë në këtë zone,” u shpreh ai.

“Unë nuk e përjashtoj se për shak të terrenit shumë të largët mund të ketë kompani që ushtrojnë ende aktivitet por ne si inspektoriat po e ndjekim me prioritet këtë çështje,” Agasi shtoi.

E ndërsa insitucionet e ngarkuara me ligj në mbrojtjen e  mjedisit janë në fazën e rilicencimit të bizneseve të nxjerjes dhe përpunimit të gurit në malin e Tomorrit, akorët e shoqërise civile shprehen që ky biznens po zhvillohet në mënyrë të pakontrolluar.

“Guroret në Parkun Kombëtar Tomorr kanë filluar që herët dhe tani janë shpërndarë dhe po e dëmtojnë atë sikundër dëmton mola drurin. Në zonën ku ato janë zhvilluar kanë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin, habitatet natyrore dhe peizazhin,” shprehet botanistja Ermelinda Mahmutaj.

“E keqja e madhe është se ky biznes  po zgjerohet në mënyrë të pakontrolluar duke u shtrirë brenda sipërfaqes së zones se mbrojtur dhe duke e dëmtuar rëndë atë,” shtoi ajo.

Sipas Mahmutaj zona më e mbishfrytëzuar në mënyrë të paligjshme është e ashtëquajtura faqja P e malit të Tomorrit, e ndodhur  mbi qytetin e Poliçanit.

“Aktualisht, guroret kanë hyrë në brëndesi të parkut,  në zonat e kullotave alpine të cilat në Tomorr janë të pasura në florë të rrezikuar dhe specie endemike të vendit,” tha Mahmutaj.

“Nuk dihet nëse ato kanë një leje mjedisore për të shfrytëzuar shkëmbinjtë e kullotave alpine të Parkut Kombëtar Tomorr, por edhe nese e kanë kjo është e pajustifikueshmë për institucionet tona mjedisore,” përfundoi ajo. /reporter.al

The post Gurthyeset e pakontrolluara kërcënojnë malin e Tomorrit appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img