Seanca gjyqësore ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit Faik Grainca, e nisur muaj më parë, i cili akuzohet për kepërdorim të detyrës zyrtare dhe falsfikim në rastin e rrugës “Astrit Bytyqi”, ka vazhduar edhe sot në Gjykatën Themelore të Ferizajt.
Dëshminë e tij në cilësinë e të dëmtuarit e ka vazhduar Bekim Haliti, banor i rrugës “Astrit Bytyqi”, i cili deklaroi se i bashkëngjitet ndjekjes penale derisa Grainca të jep përgjegjësi për veprat që ka kryer dhe të tregojë se si është arritur të krijohet një peticion me 160 nënshkrime. Ai në gjykatë deklaroi se me Graincën bashkëkryes të veprës penale janë edhe njerëz të cilët kanë ndikim në nivelin qëndror.
“Deklaroj se i akuzuari Faik Grainca për përfitime personale ka kryer kepërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe falsifikim të dokumentit që nga fillimi i mandatit të tij si drejtor në komunën e Ferizajt, ka bërë propozime të vendimeve në Kuvend Komunal në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, në bashkëkryerje ka bërë falsifikim të dokumenteve të komunës së Ferizajt, ka nxjerr vendime për leje ndërtimore në mënyrë te kundërligjshme dhe në kundërshtim me planet rregulluese ku më vonë disa i ka anuluar, ndërsa disa të tjera asnjëherë. Ka bërë aprovim të peticionit të falsifikuar edhe pse disa herë ka qenë i njoftuar, ndërsa ka refuzuar peticionin legjitim të banorëve, ka cenuar të drejtën pronësore të pronës së paluajtshme të qytetarëve, ka bërë nxitje, ka krijuar situata konflikti mes banorëve dhe krejt në fund i akuzuari nuk i ka kryer vet këto, por ka ekzistuar një rrjet kriminal në fushën e ndërtimit ku kanë qenë të involvuar edhe njerëz me ndikim dhe njerëz në qeverinë qëndrore apo në minisitritë e caktuara deri në kryeministri”, tha Haliti.
Kurse, për dy të akuzuarit e tjerë, Haliti tha se Izer Ramadani, sipas tij, nuk ka ndonjë faj, kurse për Arben Kurteshin tha se ka përgjegjësi penale.
“Kundër të akuzuarit nuk i bashkëngjitem ndjekjes penale, sepse mendoj se ai ka dorëzuar një kërkesë legjitime, mirëpo atë kërkesë ia ka shndërruar në peticion Faik Grainca, kurse sa i përket të akuzuarit Arben Kurteshi mendoj se ka përgjegjësi penale dhe duhet ta sqaroj se kush e ka nxitur apo e ka detyruar që t’i bëj ato veprime, sepse Arben Kurteshi ka dorëzuar peticionin në emër të banorëve të rrugës “Astrit Bytyqi”, kurse në deklaratën e tij thotë se unë kam mbledhur nënshkrime në rrugën “7 shtatori”, mirëpo ai e ka titulluar dhe e ka dorëzuar si peticion të rrugës “Astrit Bytyqi, i cili është marrë për bazë”, tha Haliti.
Pas Halitit, në pyetje është marrë edhe Orhan Ibrahimi, banor i rrugës “Astrit Bytyqi”, i cili tha se ai që në fillim ka qenë kundër ndryshimit të destinimit nga ndërtimi i ulët në atë të lartë dhe vazhdon ta kundërshtojë një gjë të tillë, derisa theksoi se në peticionin e kundërt ka vërtetur persona të nënshkruar të cilët nuk janë pronarë të shtëpive në rrugën “Astrit Bytyqi”.
Seanca e sotme ishte e pesta me radhë në gjykimin ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit të Ferizajt Faik Grainca, për të vazhduar më 10 janar të vitit 2019, ku do të dëgjohen dëshmitarët e Prokurorisë, transmeton Televizioni Tema.