Dhjetëra të rijnë ferizajas kanë pasur mundësinë që paraditen e sotme të njihen me mundësitë se si të mësojnë gjuhën gjermane dhe të njihen me format e përfitimit të bursave për studime në Gjermani gjatë një aktiviteti të organizuar nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa me këtë rast inkurajoi të rinjtë ferizajas që të mësojnë sa më shumë gjuhë të huaja të cilat hapin rrugët e studimeve dhe integrimeve pro perëndimore.
“Është një aktivitet i mirë i organizuar nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë që ka të bëjë me ditët e gjuhës gjermane me qëllim edhe të mësimit të gjuhës gjermane, por edhe të njohjes së kësaj gjuhe për qëllime studimi në Gjermani. Testet që i shoh këtu tregojnë për disa pyetje që në një mënyrë flasin për interesimin e të rinjve për mësimin e kësaj gjuhe të rëndësishme të komunikimit në Evropë edhe për çështje të lehtësimit të proceseve integruese në të cilat synon të integrohet Kosova” tha me këtë rast kryetari Svarqa duke përgëzuar organizatorët e këtij aktiviteti.
Ndërkaq punonjës nga ambasada e Gjermanisë deklaruan me këtë rast se interesimi i të rinjve ferizajas është i mirë, prandaj kanë dëshirë që të plotësojnë kureshtjet e tyre.
Sipas organizatorëve aktiviteti do të shtrihet nëpër disa komuna të Kosovës i titulluar si gjuha gjermane në lëvizje ose ditët e gjuhës gjermane.
Ata thanë se janë të gëzuar që ka një rritje të interesimit të të rinjve ferizajas për mësimin e gjuhës gjermane duke nisur edhe nga moshat më të reja ku ofrohen kurse e bursa fillestare për studime në Gjermani.