Bashkë me verën, diellin dhe detin vjen dhe alarmi terrorist për plazhet evropiane. Objektiv janë plazhet ku frekuentimi është më i madh, si në Itali edhe Spanjë.
Sinjalin e parë mbi këtë rrezik e ka dhënë e përditshmja gjermane “Bild” e cila e hap gazetën me titullin: “Terroristët kanë planifikuar sulme në plazhet tona!”
Mësohet se shërbimet sekrete italiane kanë kontaktuar tashmë ato gjermane.
Gazeta thotë se “të maskuar si shitës në rrugë”, xhihadistët mund të hedhin veten në erë në plazhe.
Shënjestër e sulmeve dyshohet të jenë plazhet e Italisë, Spanjës dhe jugu i Francës.
Terroristët do të jenë të përgatitur për të përdorur armë dhe eksploziv mes çadrave të plazhit, shkruan Bild, siç ndodhi vitin e kaluar në Tunizi.
Dhe sipas një zyrtari të lartë të sigurisë gjermane, “ky mund të jetë një dimension tjetër i terrorit që ISIS synon të shkaktojë. Plazhet nuk mund të mbrohen”.