Ëndrra e fëmijëve mërgimtarë dalëngadalë po realizohet që një ditë të jenë në formacionin e ngjyrave të atdheut.
I tillë është dhe i riu Argjend Shabani i cili që nga mosha 5 vjeçare aktivisht ka filluar të merret me futboll, ndërsa ka një ëndërr që gjithë energjinë sportive t’a harxhojë një ditë edhe në kuadër të kombëtares së Kosovës.
Argjendi është ende vetëm 15 vjeç por tani më ka kaluar më shumë se 10 vjet duke luajtur nëpër klubet e njohura gjermane me bashkëmoshatarët gjermanë e të kombësive të tjera ku ka treguar suksese të lakmueshme.
“Fillimisht kam nisur të luaj në qytetin Bergich Gladbach ku edhe kam lindur në klubin “Viktoria Koln” dhe prej aty kam marrë hapat e dashurinë e madhe që kam për futbollin. Aktualisht jam pjesë e ekipit Fortuna Duseldorf tek moshat U16 i cili garon në kaudër të Bundesligës gjermane kurse kam pas ftesa edhe nga ekipet e njohura si Bayern Leverkusen dhe klubi FC “Koln” tek grupmoshat e reja. Është mjaft e vështirë të koordinohem edhe me shkollën edhe me aktivitetet tjera por sporti e veçanërisht futbolli më jep fuqi që t’i mbërrij të gjitha” nis tregimin e tij Argjendi i cili me shumë pasion flet për hapat e parë të karrierës së tij.
Dëshira për fanellën e atdheut nuk e lë të qetë as në pushime
I gjendur mes ëndrrës për një karrierë të bujshme futbollistike dhe dëshirave që ka një i ri për të shëtitur e për të mësuar botën, Argjendi tregon se shpesh nuk i mjafton koha për të realizuar të gjitha aktivitetet e planifikuara ndërsa aktivitetet sportive gjithmonë dominojnë angazhimet e tjera.
“Më ka ndodhur që të ndërpres edhe pushimet e shumëpritura në Kosovë të cilat ndoshta i kam planifikuar gjatë një viti, ngase me pëlqen shumë të jem për pak kohë në Vojnovc në një fshat të komunës së Shtimes ku e kemi edhe shtëpinë tonë dhe në këtë rast normalisht nuk jam ndier mire, por në anën tjetër i kam caktuar vetes një mision për të arritur sa më shumë suksese në futboll deri në në veshjen e fanellës së përfaqësueses së Kosovës” thotë me entuziazëm Argjend Shabani i lindur në Gjermani.
Ai edhe pse i lindur në mërgim ushqen një dashuri të madhe për Kosovën, vendlindjen e prindërve tij, ndërsa lutet çdo ditë që t’i bëjë ata krenar me të të arriturat sportive për të cilat po angazhohet ditë e natë.
Ndonëse i ri në moshë Argjendi e ka kuptuar mirë se kushtet e mira në qytetin e tij të zhvilluar janë ato të cilat e kanë ndihmuar ta zhvillojë talentin e tij, ndërsa është i vetëdijshëm se edhe në Kosovë ka bashkëmoshatarë të po këtij niveli të cilët nuk e kanë mundësinë të dalin në arenën ndërkombëtare , prandaj ka një porosi që të punohet më shumë për shpërfaqjen e këtyre talentëve të cilët një ditë do të jenë jo vetëm thesar i familjes, por edhe i gjithë vendlindjes.